Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Qerim Bajrami ka deklaruar për RTKlive se sot rreth orës 16,00 është sulmuar fizikisht nga një përson i cili ka ushtruar dhunë mbi të.
Siç tregon Bajrami sulmuesi, një burrë rreth 35-vjeç, ishte i panjohur për të, por po e shqetësonte familjen e tij prej orësh duke qëndruar pranë oborrit të tij.
Ai thotë se sulmuesi po luante me top me disa persona të tjerë pranë shtëpisë së tij, dhe po shkaktonte vazhdimisht zhurma, e po e cenonte privatësinë e familjes, sepse kishte hyrë edhe brenda në oborrin e shtëpisë së Bajramit.
Sipas Qerim Bajramit, ky person kishte provokuar edhe anëtarët e familjes së tij dhe në momentin kur Bajrami i kërkoi që të largohej nga prona e tij, ai u afrua dhe e sulmoi me shqelm në këmbë e me grusht në fytyrë.
“Dola në ballkon dhe i thashë largohu se e kemi lajmëru policinë, ai ndërkohë incizonte me telefon shtëpinë, nusen dhe familjarët. Unë dola me i pritë policinë. Ai ndërkohë po më priste jashtë dhe nisi provokimet me disa gjeste, e duke bërë grimasa. U afrua në oborrin tonë dhe i thashë largohu nga oborri, por ai vazhdoi duke me thirrë hajde hajde… Unë si një 66-vjeçar u afrova i thashë hajde vëllau jem hyr, ai më goditi një herë më këmbë dhe pastaj më goditi në fytyrë boks, mu lëshua gjakderdhja dhe derisa morra telefonin për të incizuar ai nisi të ikte, unë i bëra disa foto dhe iku”, deklaroi mes tjerash Qerimi.
Siç kanë raportuar nga policia, rasti ka ndodhur sot rreth orës 16:00, në Prizren, ku viktima është goditur me boks në hundë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë për RTKlive se rasti ka ndodhur derisa sulmuesi po luante me top, ndërsa Bajrami kishte kërkuar që të ndërpritej loja.
“Rasti i sulmit është raportuar me datë 29.02.2024 rreth ores 16:00 në Prizren. Pas një konflikti verbal në mes të dyshuarit dhe viktimës, i dyshuari e ka goditur me boks viktimën dhe me këtë rast i shkaktuar lëndime në hundë. Policia është duke u marr me rastin. Deri te fjalosja ka ardhur për shkak se i dyshuari me disa të tjerë ka qenë duke lujtur me top ndërsa viktima ka kërkuar nga ata që të nderpresin lojën e të mos I shqetësojnë”, ka thënë për RTKlive Bytyqi.