Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës së tij zyrtare në Paris, ka zhvilluar disa takime me një sërë deputetësh dhe senatorësh, përkatësisht anëtarë të Kuvendit kombëtar dhe të Senatit (Dhoma e lartë).
Sipas njoftimit, në të gjitha këto takime janë konfirmuar lidhjet e miqësisë mes Kosovës dhe Francës dhe rëndësinë që ato të përforcohen gjithherë e më shumë edhe përmes diplomacisë parlamentare.
“Në këto takime ministri Sveçla ndau informatat më të fundit rreth gjendjes së sigurisë së krijuar për shkak të veprimeve të agresionit të Serbisë në Kosovë, prej marrjes peng të oficerëve të Policisë së Kosovës në qershor, deri te sulmi terrorist i 24 shtatorit.Po ashtu gjatë këtyre takimeve Ministri Sveçla ka theksuar faktet më të reja për vullnetin dhe qasjen destruktive të regjimit të sotëm të Serbisë, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajon. Ndërsa në takim me parlamentarët francezë u vunë në dukje përparimet e Kosovës në fushat demokratike dhe të sundimit të ligjit dhe tek agjenda reformuese e Qeverisë së Kosovës, me një theks të veçantë te reforma e administratës publike dhe ligjet përkatëse, por gjithashtu u bisedua rreth perspektivave evropiane të vendit dhe të rajonit edhe debateve të sotme rreth zgjerimit të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim
Bëhet e ditur se gjatë gjithë këtyre takimeve u konfirmua që nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit sa më shpejt të mundshëm të Kosovës si dhe të rajonit në Bashkimin Evropian, por sipas njoftimit, integrimi duhet të bëhet në bazë të meritave.
“Në këto takime po ashtu u theksua mungesa e demokratizimit të Serbisë dhe radhitja e saj politike me fuqitë autokrate dhe diktatoriale globale, që u bënë faktorë kryesorë dhe kërcënues ndaj stabilitetit të gjithë rajonit dhe perspektivave të integrimit. Rrjedhimisht, ministri Sveçla ka ftuar deputetët dhe senatorët që të veprojnë në drejtim të sanksioneve ndaj Serbisë dhe të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, në mënyrë që të parandalohet çdo veprim i ri agresioni nga Serbia kundrejt Kosovës”, thuhet tutje.