Shkëmbimi i njohurive, sjellja e aftësive dhe përvojave të reja, është qëllim i Programit për Diplomaci Qytetare, që sjell profesionistë të rinj të diasporës për të punuar në Kosovë për 10 muaj.
Deri tash në këtë projekt janë angazhuar dy gjenerata, me gjithsej 30 të rinj nga diaspora. “Në mes të muajit gusht do të na bashkohet edhe kohorta e tretë me 25 pjesëtarë. Ata shpërndahen nëpër ministri të ndryshme të linjës për të punuar për 10 muaj”, ka konfirmuar për Radio Kosovën koordinatorja e projektit, Flaka Ismaili.
Një nga të rinjtë që është pjesë e këtij projekti, është edhe Arlind Alidema nga Nju Jorku. Ai po qëndron në Prishtinë, për të dhënë kontributin e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Alidema rrëfen për Radio Kosovën, përvojën e tij në institucionet e Kosovës.
“Shumica prej nesh kemi pasur eksperienca dhe punë të ndryshme në diasporë dhe i kemi lënë të gjitha që të vijmë në Kosovë dhe të japim kontribut në vendlindje. Programi është i madh dhe ka profile të ndryshme. Ne jemi angazhua në shumë projekte konkrete që i ka lansuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si në: “Made in Kosova”, “e-diaspora”, si dhe regjistrimin e popullsisë në veçanti për diasporën, proces ky që është duke vazhduar”, ka thënë Alidema.
Edhe Milot Morina nga Berlini, kontributin e tij po e zhvillon në ministrinë e Ekonomisë. Duke folur për Radio Kosovën, Morina thotë se është i përfshirë në departamentin e energjisë.
“Unë këtu jam i përfshirë direkt në hartimin e planit kombëtar për klimë dhe energji, i cili është obligim nga Komisioni Evropian, dhe ai duhet të kryhet deri në fund të muajit gusht. Jam duke u munduar që eksperiencën time që e kam në Gjermani, ta jap në departamentin e energjisë”, ka thënë Morina.
Programi për Diplomaci Qytetare në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, deri tani ka punësuar 30 të rinj të diasporës që kanë kontribuuar në dikastere të ndryshme të qeverisë. Gjenerata e re për Diplomaci Qytetare për vitin 2024/2025, fillon në fund të muajit gusht.