Në Shqipëri është mbajtur takimi i parë i organizatave joqeveritare në Ballkan, organizuar nën kujdesin dhe mikpritjen e Institutit “Yunus Emre” – Tiranë dhe në bashkëpunim me Fondacionin Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) nga Turqia, raporton Anadolu Agency (AA), përcjell KosovaPost.
Në fokus të diskutimeve në takimin e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë ishin temat në lidhje ne rolin e Shoqërisë Civile në Ballkan, fushat e veprimtarisë së OJQ-ve në Ballkan, bashkëpunimi OJF-Qeveri, marrëdhëniet e OJQ-ve me rrjetet sociale, zhvillimi i projekteve të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, sportit dhe artit, si dhe tema të tjera.
Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, në fjalën e tij përshëndetëse në hapje të takimit, duke iu drejtuar përfaqësuesve të organizatave të pranishme, tha se organizatat e shoqërisë civile kanë marrë përsipër punë shumë të rëndësishme dhe serioze ndaj popullsisë në vendet ku ndodhen.
“Të gjithë ne në këtë epokën ku jetojmë kemi përgjegjësi shumë të rënda mbi supe. Si fillim kemi përgjegjësinë ndaj popullit që ne i përkasim dhe më tej kemi përgjegjësi edhe ndaj të gjithë personave të shtypur, që iu është bërë padrejtësi në të gjithë botën. Por, nuk mund t’ia dalim të vetëm në krye të këtyre përgjegjësive. Mund t’iu dalim mbanë këtyre përgjegjësive duke u bashkuar”, tha Demirbaş.
Osman Atalay, anëtari i Bordit të Administrimit të IHH-së, gjatë fjalës së tij tha se janë mbledhur për të shkëmbyer mendimet në lidhje me projekte të ndryshme në fushat e arsimit, kulturës dhe ekonomisë.
“Përgjatë gjithë historisë, Ballkani ka qenë një nga zonat më të gjalla me zhvillime. Kjo është një zonë e cila do ta ruajë gjithmonë vendndodhjen e saj strategjike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Edhe ne si pjesëtarë të kësaj gjeografie kemi përgjegjësitë tona, prandaj ne kërkojmë që të kemi një shkëmbim idesh në lidhje me zhvillimet dhe aktivitetet e shoqërisë civile. Ne duam që të zhvillojmë bashkëpunimin, të ndajmë eksperiencat tona me njerëzit e medias, të drejtësisë dhe të fesë”, tha Atalay.
Ai theksoi se duhet më shumë përpjekje për të vënë në jetë projektet kulturore, me të gjitha shoqëritë, qoftë nga Evropa, Ballkani, apo edhe nga diaspora. “Do të ishte shumë mirë sikur të gjitha organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në Ballkan t’i mblidhnim nën një çati të vetme. Qëllimi i kësaj është pikërisht ndarja e eksperiencës dhe veprimi i përbashkët”, u shpreh Atalay.
Në takimin njëditor marrin pjesë dhjetëra përfaqësues të 16 organizatave të shoqërisë civile nga vendet e Ballkanit.