Jemi duke shqyrtuar për opsione të ndryshme si përgjigje të mundshme në rast të vendosjes së NATO-s pranë kufijve të Rusisë, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, transmeton Kosova Post.
Në një konferencë me gazetarë, Peskov ka folur edhe për deklaratën e palës bjelloruse se Minsk do t’i propozojë Moskës vendosjen e armëve bërthamore në territorin e saj nëse NATO vendos armë të tilla në Poloni.
“Nuk është sekret se vendosja e llojeve të ndryshme të armëve të NATO-s pranë kufijve tanë, të cilat mund të jenë një rrezik për ne, sigurisht që kërkon marrjen e hapave të duhur për të balancuar situatën. Ka mundësi të ndryshme”, ka thënë Peskov.
Në të njëjtën kohë, Peskov vuri në dukje se Rusia ende nuk ka marrë një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara për garancitë e sigurisë.
“Është ende herët për të deklaruar. Kemi dëgjuar fjalë, por duke iu referuar burimeve të ndryshme, për gatishmërinë për të zhvilluar një debat, dhe ky është ndoshta një faktor pozitiv. Por ende nuk ka një përgjigje të drejtpërdrejtë, kështu që është herët për të dhënë vlerësime”, tha një zëdhënës i Kremlinit, shkruan sputnik.
Kujtojmë se Ministria e Punëve të Jashtme ruse publikoi një dokument që Moska zyrtare i dërgoi NATO-s për garancitë e sigurisë, të cilat u diskutuan së fundi nga presidenti rus Vladimir Putin, dhe që kanë të bëjnë kryesisht me zgjerimin e pranisë ushtarake të Aleancës në kufijtë perëndimorë të Rusisë./sh.o./Kosova Post/