Mançester Junajtid ka regjistruar një shpenzim neto prej 480 milionë paundësh në 10 merkatot e fundit. “Djajtë” kanë shpenzuar +70 milionë paund neto në secilën prej transferimeve të Pol Pogbasë, Herri Meguajërit, Romelu Lukakut dhe Xhejdën Sanços.
Vetëm verën e shkuar, 20 herë kampionët e Anglisë shpenzuan rreth 126 milionë paund në merkato për të ngushtuar diferencat me rivalët dhe kampionët në fuqi të Mançester Sitit.
Por këtë sezon gjërat nuk kanë shkuar sipas planit me skuadrën që renditet në vend të katërt, -19 pikë nga kryesuesit, ndonëse në skuadër kanë edhe Kristiano Ronaldon. “Qytetarët” e Pep Guardiolës renditen pas rivalëve të tyre për shpenzimet neto, por kur vjen puna te trofetë e fituar, Junajtid as që u afrohet. Siti ka fituar 9 trofe që prej verës së vitit 2017 ndaj zero të Junajtidit. Nuk është surprizë gjetja e emrit të PSG-së në vend të tretë të këtij klasifikimi.
Shifra e tyre e kuqe është 343.62 milionë paund. Megjithatë, verën e shkuar francezët firmosën me emra të mëdhenj si Lionel Mesi, Xhini Vajnaldum, Xhanluixhi Donaruma dhe Serxho Ramos me parametër zero, por sigurisht duke paguar rroga stratosferike. Milani është skuadra e katërt që ka shpenzuar më shumë dhe ashtu si “Djajtë”, edhe “Djalli” e ka justifikuar shumë pak investimin e bërë. Trofeu i fundit i kuqezinjve ka ardhur në vitin 2016, ndërsa rivali i tyre, Interi, duket favorit për të mbrojtur titullin e Serisë A këtë sezon. Në 10 skuadrat e para renditen edhe 4 klube të tjera angleze.