Türkiye dërgoi sot dy aeroplanë dhe një helikopter në Maqedoninë e Veriut për ta mbështetur vendin në luftën kundër zjarreve, njoftoi ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, İbrahim Yumaklı, transmeton Anadolu.
“Ne jemi në detyrë për pyjet, trashëgiminë tonë të përbashkët. Për të mbështetur luftën kundër zjarreve të vazhdueshme në pyje, dy avionë tanë dhe një helikopter u dërguan në Maqedoninë e Veriut. Përcjell urimet e mia më të mira për popullin e Maqedonisë së Veriut dhe u uroj sukses ekipeve tona në detyrat e tyre”, tha Yumaklı në X.
Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut, Stojançe Angelov, konfirmoi se ndihma nga Türkiye ka mbërritur në aeroportin e Shkupit.
Shtatë zjarre përfshinë Maqedoninë e Veriut të dielën dhe e detyruan qeverinë të shpallë situatë krize.
Më shumë se 100 hektarë pyje u dogjën gjatë fundjavës, pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve.
Gjendja e jashtëzakonshme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është për 30 ditë, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Krahas alarmimit të stafit mjekësor, qeveria miratoi edhe angazhimin e policisë dhe ushtrisë në luftën kundër zjarreve.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka njoftuar më herët se ndihmë në luftën kundër zjarreve do të arrijë së shpejti nga Serbia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Türkiye.
Mickoski tha sot se ai pret që zjarret të vihen nën kontroll “nesër ose më së voni pasnesër”.
Maqedonia e Veriut sot ndaloi lëvizjen në pyje nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 20:00.
Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë tha se ndalimi do të zgjasë deri në zvogëlimin e rrezikut nga zjarret.
Vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, javën e kaluar lëshuan alarm të motit ekstrem.