Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi se një pushtim tokësor në qytetin kufitar jugor të Gazës mund të izolojë Izraelin.
Kryediplomati amerikan tha të enjten një sulm i madh tokësor izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, do të ishte “një gabim” dhe “i panevojshëm” për të mposhtur Hamasin, shkruan euronews, transmeton kk.
Vërejtjet e tij nënvizojnë përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Izraelit dhe aleatit të tij kryesor, Shteteve të Bashkuara.
Blinken, tha se një “armëpushim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm” me lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi ishte urgjentisht i nevojshëm dhe se boshllëqet po ngushtoheshin në negociatat indirekte që ShBA, Egjipti dhe Katari kanë kaluar javë të tëra duke ndërmjetësuar.
Këto negociata vazhduan në një nivel të lartë në Katar të premten.
Blinken shtoi se zyrtarët izraelitë do të takohen në Uashington për të diskutuar metodat alternative ndaj një pushtimi tokësor në Rafah.
Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se pa një pushtim të Rafahut, Izraeli nuk mund të arrijë qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin – diçka që ai është zotuar të bëjë pas sulmit vdekjeprurës të militantëve palestinezë më 7 tetor në Izraelin jugor.