Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me Maria Suokko nga Programi për zhvillim të kombeve të bashkuara (UNDP), përmes të cilit synohet forcimi i kapaciteteve të komunës dhe rritja e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, njofton kumtesa komunale, transmeton KosovaPost.
Kryetari Bulliqi tha se qëllimi bazë i kësaj marrveshje është forcimi i demokracisë pjesëmarrëse, duke ofruar mbështetje për aktivitetet që sigurojnë qeverisje të mirë, ofrojnë shërbimeve cilësore dhe fuqizojnë shoqërinë civile dhe rininë.
“Përmes kësaj marrëveshje, komuna e Podujevës shpreh interesimin për angazhim në përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarët, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve më të mira, duke rritur demokracinë lokale, si dhe përgjegjësinë dhe llogaridhënien e zyrtarëve komunalë”, tha Bulliqi.
Në kuadër të memorandumit të nënshkruar sot, palët shprehin përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar në fusha me interes të përbashkët për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile, duke promovuar angazhimin dhe mbështetjen e të rinjve në zbatimin e nismave rinore;
Programi Rajonal i Demokracisë Lokale në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2) është program rajonal dhe është iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe e zbatuar nga UNDP në gjashtë vendet perëndimore dhe në shtatë komuna të Kosovës.