Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka treguar pse hyri në politik dhe pse pikërisht në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo pohon se pati bisedime edhe me PDK-në për të qenë pjesë e listës së tyre, por që në fund kishte vendosur për partinë e Albin Kurtit.
Krasniqi-Goodman premton se do të jetë fillimisht zëri i të gjitha grave në Kuvend të Kosovës si dhe do të merret me të drejtat e njeriut.
Ajo ka treguar se për momentin fushatën është duke e zhvilluar nga Amerika, kryesisht me takime online, ndërsa thotë se do të kthehet në Kosovë nëse arrin të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Bota sot”: Pse e zgjodhët Lëvizjen Vetevendosje për t’iu bashkuar?
Vasfije Krasniqi-Goodman: Si aktiviste dhe avokuese e të drejtave të njeriut, përgjatë angazhimit për ta ngritur zërin për krimet e luftës, e në veçanti për dhunimet seksuale të luftës së fundit, kam hetuar që me Lëvizjen Vetëvendosje! na bashkon parimësia dhe qëndrueshmëria për shumë gjëra e në veçanti për drejtësinë e vonuar, padrejtësitë që i janë bërë e po i bëhen popullit tonë shqiptarë.