Albert Andijev gjatë luftës në Kosovë kishte qenë i angazhuar si snajperist. Ai bënte pjesë në Brigadën e motorizuar 549 të ushtrisë serbe. Pikërisht, gjatë luftimeve në rajonin e Suharekës ishte plagosur dhe kishte humbur syrin e djathtë, transmeton Kosova Post.
Mediat kanë raportuar se Andijev, vdiq në spitalin “Kovid” në Batajnicë, si rezultat i infeksionit me virusin korona.
Ai ishte shumë aktiv në profilin e tij në Facebook, me postime kundër Qeverisë së Serbisë, përkatësisht kundër Presidentit Vuçiq, ndërsa i akuzonte për korrupsion dhe shitje të interesave serbe.
Ish mercenari rus ishte pjesë aktive e protestës, kundër projektligjit për veteranët serbë.
Andijev kishte mbi njëzet vite që jetonte në Serbi, por nuk kishte nënshtetësi serbe, ndonëse Qeveria e Serbisë shpesh i pajisë me nënshtetësi shtetasit me origjinë jo-serbe. Për këtë arsye organizatat e veteranëve dhe ato pro-ruse në Serbi, kishin akuzuar qeverinë që nuk po ia jepte nënshtetësinë atij, ani pse ai ishte i martuar me shtetase serbe dhe kishte marrë pjesë në luftime në Kosovë, ku edhe e kishte humbur njërin sy.
Andijev, me origjinë nga Osetia e Jugut, u bashkua me forcat militare e paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë. Ai u caktua në Brigadën 549 të Motorizuar, e cila mbrojti kufirin me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa luftoi kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmia e tij konfirmon edhe njëherë heroizmin e ushtarëve të UÇK-së, të cilët nuk kishin të bënin vetëm me ushtarë të rregullt, por edhe mercenarë të angazhuar nga Rusia.
Andijev ishte një snajperist dhe u plagos në afërsi të Suharekës më 5 maj 1999.