Kërkesën e miratoi si shef i Prishtinës. Por as kjo pozitë nuk po e ndihmon Pëparim Ramën t’ia thotë fjalën e fundit vendimit që organizimi i tregut “Verë n’Dimër” e “Akull n’Verë” të menaxhohet plotësisht nga ndërmarrja “Sport Marketing”, e jo nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, siç ka qenë deri vonë.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), vendimin e nënshkruar nga kryetari Rama po e cilëson si akt në kundërshtim me ligjin, apo thënë më thjeshtë, Rama e shmangu MAPL-në lidhur me këtë, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Sipas MAPL-së, “në rastin konkret, ky vendim përcakton se vendimi hyn në fuqi në momentin e nënshkrimit të tij, kjo përbën shkelje ligjore për faktin se anashkalon dërgimin e aktit të autoritetit mbikëqyrës”.
Po kjo ministri po i kërkon komunës së Prishtinës që të ndërmarrin veprime konform ligjit. E, është pikërisht LVV që këtë çështje e adresoi te Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal.
Partia tjetër opozitare, PDK thekson se në rast se këto vendime nuk zbatohen, atëherë do të marrin masa.
Përkundër kësaj, “Sport Marketing” ka ecur me hapa të shpejtë. Ata tanimë e kanë zgjedhur operatorin fitues që do të bëjë menaxhimin e “tregut dimëror”, ngjashëm siç ka ndodhur sivjet edhe me pishinën e Gërmisë.
Mirëpo në krejt këtë sagë të zhvillimeve, drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci bën të ditur për emisionin e kryeqytetit në Klan Kosova se nuk ka qenë në dijeni që kryetari Rama kompetencat e tij ia delegoi “Sport Marketingut”.
E, shuma vjetore për kontratën 5 vjeçare është 180 mijë euro. /Klankosova.tv