Hoteli i ish-Presidentit Donald Trump në Uashington DC përfitoi rreth 3.75 milionë dollarë nga qeveritë e huaja gjatë mandatit katër vjeçar të tij si president.
Llogaritjen e shumës e kanë publikuar të premten Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.
Komiteti për Mbikëqyrje dhe Reforma shpjegoi për llogaritjen e shumës, por nuk bëri të ditura shtetet që paguan për akomodimin e zyrtarëve të tyre në biznesin e ish- presidentit Trump.
Por, një hulumtim i bazuar në të dhëna publike i revistes amerikane Forbes, ka zbuluar se 33 zyrtarë të qeverive të huaja kishin vizituar Trump International Hotel në kryeqytetin amerikan, Uashington DC, në katër vitet e lidershipit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Në mesin e 33 vendeve të listuara në investigimin e Forbes me zyrtarë qeveritarë që kishin vizituar Hotelin e ish-presidentit Trump është edhe Kosova.
Dy ish-ministra të Qeverisë së Kosovës, me rastin e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes Ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2020 ishin vendosur në Hotelin e Trump, raporton Forbes.
“Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj patën një takim miqësor në hotel në vitin 2020 me Richard Grenell, ish-ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare”, theksohet në shkrimin hulumtues të Forbes.
Dy zyrtarët kosovarë ishin akomoduar në një hotel tjetër
Konstatimet e Forbes bazohen në postimet, fotografitë dhe të dhënat publike në internet. Shkrimi i revistes prestigjoze amerikane nuk konstaton se dy anëtarët e kabinetit të ish-qeverisë Hoti ishin akomoduar aty. Ashtu siç nuk kishte ndodhur.
Delegacioni i Kosovës në Uashington që përveç ministrave Selimi dhe Haradinaj-Stublla përbëhej edhe nga pesë anëtarë të tjerë qeveritar, përfshirë ish-kryeministrin Avdullah Hoti, ishin akomoduar në Hotelin “Willard Intercontinental” gjatë qëndrimit gjashtë ditor në ShBA.
Në listën e zyrtarëve të huaj qeveritarë që kishin vizituar Hotelin e ish-presidentit Donald Trump janë të përfshira edhe 32 emra të tjerë shtetesh. E implikuar është edhe Shqipëria, transmeton Reporteri. net.
Shkrimi përmend vizitën e deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Alban Zeneli, në Hotelin Trump International.
Të etiketuar në shkrimin e Forbes janë edhe zyrtarë nga dy shtete të tjera ballkanike: Bosnjë e Hercegovina dhe Greqia.