Vetëm 38 kamionë me mallra për dy javë nga Serbia kanë hyrë në Kosovë

Vetëm 38 kamionë me mallra për dy javë nga Serbia kanë hyrë në Kosovë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina i ka dhënë menjëherë efektet e saj.

Prej ditës së vendosjes së kësaj mase në kufirin kosovar kanë arritur të depërtojnë vetëm 38 kamionë me mallra nga Serbia dhe 11 nga Bosnja në vlerë të 140 mijë eurove, sa kanë paguar edhe masën mbrojtëse për të hyrë në shtetin tonë.

Nga 100 kamionë me targa serbe, sa hynin në Kosovë brenda një dite të vetme, vetëm 38 të tillë kanë hyrë për gati dy javë prej ditës kur u vendos masa prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve që origjinë kanë shtetin serb e Bosnjë e Hercegovinën.

Zyrtari për Informim në Doganën e Kosovës (DK), Adriatik Stavileci, në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” ka treguar se nga terreni deri më tani kanë pasur 38 importe nga Serbia dhe 11 nga Bosnja.

“Deri tani sipas informatave nga terreni kemi pasur rreth 38 importe nga Serbia dhe 11 nga Bosnja, kryesisht kanë qenë me lëndë të parë për prodhim me vlera të ulëta, pra vlera e tyre ka qenë rreth 140 mijë euro, deri po aq sa kanë paguar edhe masë mbrojtëse”, ka thënë Stavileci.