Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë mund të zgjidhet brenda vendit dhe se ajo nuk është dashur të shkaktonte përplasje mes Prishtinës dhe aleatëve të saj.
“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë. Në fakt, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët”, tha Osmani për media.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt.
Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se ajo është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb.