Të enjten në Bruksel nisi procesi ndaj vrasjes së aktivistit Enver Hadri, 35 vjet më parë. Të akuzuarit serbë që punonin në shërbimin sekret jugosllav, të cilët dyshohen se kryen këtë vrasje Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq janë ankuar ndaj vendimit të gjykatës, ndërkaq Bozhidar Spasiq, ish-zyrtar i UDB-së, për të cilin thuhet se ka urdhëruar dhe organizuar vrasjen e Enver Hadrit, nuk është ankuar në këtë vendim.
Në vitin 2016 të tre ishin dënuar me burgim të përjetshëm, por që Serbia nuk i ekstradoi.
Procesi gjyqësor për vrasjen e aktivistit Kosovar Enver Hadri nisi këtë javë në Gjykatën në Bruksel. Tre të akuzuarit për vrasjen e Hadrit në vitin 2016 janë shpallur fajtor me burgim të përjetshëm në Belgjikë.
Në vitin 2016 ata janë dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm. Të tretë gjenden në Serbi, ndërsa autoritetet e Beogradit refuzojnë t?i ekstradojnë në Belgjikë. Vajza më e vogël e Hadrit, Teuta ishte 13 vjeçe kur i është vrarë Babai.
Procesi zhvillohet vetëm për dy nga tre të dënuarit: Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Ata kanë deponuar ankesë ndaj vendimit paraprak, ndërsa i treti, Bozhidar Spasiq, ish zyrtar i UDB-së për të cilin thuhet se ka urdhëruar dhe organizuar vrasjen e Enver Hadrit nuk është ankuar në këtë vendim.
Ditët e fundit, kur u aktualizua çështja e rinisjes së gjykimit, Spasiq u paraqit në disa mediume serbe.
Enver Hadri u vra në mes të ditës në Bruksel, më 25 shkurt të vitit 1990 derisa ishte në në timon të makinës së ndalur para semaforit të kuq. Edhe gjykata belge ka konstatuar se vrasja e tij ishte porositur nga shërbimi sekret jugosllav, ndërsa është ekzekutuar nga kriminelët me ndihmë logjistike nga Beogradi.
Dosja Hadri në gjykatën penale belge numëron mbi 3000 faqe. Anëtarët e jurisë, gjithsej 12, paraprakisht do të dëgjojnë edhe të gjeturat e dëshmitarëve: në mesin e tyre ekspert ndërkombëtarë të cilët do të elaborojnë kontekstin gjeopolitk dhe mënyrën se si kanë funksionuar shërbimet sekrete gjatë të 90-tave.
Procesi pritet të zhvillohet deri në fund të muajit janar./rtk