Një burrë vdiq dje dhe një grua tjetër vdiq sot në QKUK si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima Z.G 48-vjeçare, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe se e njëjta nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.
“Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast” – thuhet në njoftimin e policisë.
Policia është kërkim të dy personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e forcave të rendit.
Më herët, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje në lidhje me këtë vrasje.
Sipas Prokurorisë, një person ka mbetur i vrarë, ndërsa tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitet relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare, dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, po ashtu po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve.