Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ku ka kërkuar që shtetet e bllokut të “kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës”.
“I bëra thirrje BE-së dhe shteteve anëtare që në mënyrë urgjente, përmes angazhimit konkret, të kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës, që kërcënon sigurinë e popullit serb dhe stabilitetit në mbarë rajonin”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Zyrtarët në Serbi kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për “sulme ndaj serbëve” në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Vuçiq ka deklaruar se për situatën e serbëve kërkohet reagim nga komuniteti ndërkombëtar.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u ngritën pasi autoritetet kosovare në fund të gushtit mbyllën pesë institucione paralele serbe, të cilat Prishtina i konsideron të paligjshme dhe jokushtetuese.
Serbia i ka cilësuar këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “persekutimin e serbëve”.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë thënë se veprimet e Kosovës në veri janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, shkruan REL.
Në Kosovë ekzistojnë komuna, sipërmarrje publike, kopshte fëmijësh, shkolla fillore e të mesme, dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt prej Qeverisë së Serbisë, dhe gjenden nëpër qytetet ku jetojnë serbët.
Sipas ligjeve të Kosovës, këto institucione janë ilegale.