Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk janë terroristë.
Siç raportojnë mediat, Vuçiq po ashtu tha se tani ka shumë më tepër informacione sesa në ditën e sulmit, kur për herë të parë iu drejtua publikut në Serbi.
“Ne do t’u kërkojmë atyre të na tregojnë pamjet me dron se si u vra polici. Vrasja nuk ishte e planifikuar”, tha ai.
“Serbia vendosi për shkak të ngjarjeve tragjike në Kosovë, për shkak të vdekjes së të gjithë njerëzve. Nga pikëpamja e Kushtetutës së vendit tonë, të gjithë janë qytetarë të vendit tonë. Serbia ka ditë zie për tre serbët e vrarë dhe policin e vrarë. Mendoj se është një vendim i civilizuar dhe serioz”, tha Vuçiq.
Vuçiq i është përgjigjur edhe deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama se Dita e Zisë është “sinjali më i keq që mund të dërgojë Serbia”, duke thënë se Rama nuk po thotë të vërtetën.

























