Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot e ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, e cila të martën bashkë me disa komandantë stacionesh policore në Kosovë ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë në Beograd.
“Me urdhër të Albin Kurtit, është shkarkuar nga institucionet gjyqtarja serbe Liljana Stevanoviq, kurse në mëngjes (të së premtes) është përgatitur shkarkimi i të gjithë komandantëve dhe policëve serbë që kanë marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, tha presidenti serb.
Po ashtu Vuçiq, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që t’i sulmojë serbët.
Këtë ai e tha në një video të postuar në llogarinë e tij në Facebook, të cilën e ka titulluar si URGJENTE.
“Në mëngjes ishte përgatitur shkarkimi i të gjithë komandantëve serbë, të gjithë policëve serbë që ishin në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd. Albin Kurti ka vendosur t’i sulmojë serbët. Albin Kurti e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit, dhe sipas dëshirës së tij dhe të atyre që e mbrojnë, marrëveshja e Brukselit më nuk ekziston”.
“Albin Kurti është ai që dëshiron ta shkatërrojë paqen në Kosovë. Është ai që me këto vendime do që ta sulmojë popullin serb kudo ku ai jeton, si në jug ashtu edhe në veri të Kosovës. Serbia dëshiron që të ruhet paqja dhe për çdo gjë paralajmërojmë edhe shtetet e Kuintit dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar, që porosia ime e fundit është: çfarëdo që të bëni, Serbia do të jetë me popullin e saj”, theksoi Vuçiq./KosovaPost/