Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur sot të dërguarin special të Qeverisë Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Zaracin, me të cilin ka biseduar për situatën në rajon dhe, ndër të tjera, për rezultatin e takimit të djeshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel dhe, me këtë rast, deklaroi se Beogradi mbetet i përkushtuar në dialogun me Prishtinën, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, transmeton Kosova Post.
Vuçiq përsëriti qëndrimin e Serbisë për të gjitha çështjet në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht ruajtjen e paqes, forcimin e mëtejmë të besimit dhe bashkëpunimin më gjithëpërfshirës rajonal, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit serb.
Vuçiq theksoi se rruga e integrimit evropian është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë dhe shprehu shpresën se angazhimi i të dërguarit special Zaracin do të kontribuojë në rinovimin e entuziazmit për zgjerimin e BE-së.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe veçanërisht për potencialet investuese që po hapen në kuadër të organizimit të ngjarjes prestigjioze EXPO 2027 në Serbi. Vuçiq shprehu interesimin e tij për zgjerimin e investimeve gjermane, duke pasur parasysh rëndësinë e Gjermanisë si partner ekonomik i Serbisë.
I dërguari i posaçëm Zaracin shprehu dëshirën e tij për një angazhim më të fortë të gjithë Bashkimit Evropian në lidhje me politikën e zgjerimit dhe duke i dhënë shtysë të re Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane.
























