Presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq, në një deklaratë në margjinat e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka përdorur shprehje jashtëzakonisht fyese që nuk i përkasin presidentëve të shteteve, e aq më pak marrëdhënieve miqësore mes popullit slloven dhe atij serb, ka thënë kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob.
“Fjalët të kujtojnë një kohë tjetër dhe janë të padenja për nivelin e arritur të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sllovenia kryen punën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe sinqerisht mbron paqen dhe pajtimin mes popujve, prandaj është më e pakta që mund të presim nga presidenti i Serbisë mike, i cili përndryshe është mysafir i rregullt në vendin tonë”, tha Zyra e Kryeministrit slloven.
Reagim ndaj deklaratës së Vuçiqit pati edhe ministrja e jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila tha se kjo gjuhë është e papranueshme dhe fyese dhe kundër frymës së marrëdhënieve miqësore slloveno-serbe.
Prandaj, ministria thirri të ngarkuarin me punë të Serbisë për diskutim.
“Lidhur me deklaratën e papranueshme dhe fyese të Presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, pas diskutimit të Këshillit të Sigurimit për raportin e UNMIK-ut, sot e thirrëm të ngarkuarin me punë të Serbisë në ministri për diskutim. Kemi kërkuar shpjegim dhe falje nga Serbia për fjalët e thëna”.
“Sllovenia refuzon një nivel të tillë të diskutimit publik, deklaratat e presidentit të Serbisë janë të pavërteta dhe fyerje për mbarë popullin. Mesazhi nuk është i përshtatshëm për një vend që përsërit përkushtimin dhe përkatësinë e tij ndaj vlerave evropiane, të cilat i thekson në procesin e negociatave për anëtarësim në BE”, ka thënë Fajon, raporton Klankosova.tv.
Ajo tha se u “edhe një herë u tregua se vetëm dialogu i sinqertë duke dëgjuar njëri-tjetrin mund të jetë e vetmja rrugë përpara”.
“Është e nevojshme të vazhdohet nga mirëkuptimi dhe respekti i thellë për vuajtjet dhe viktimat nga të dyja palët, por është e nevojshme të mendohet për një të ardhme të përbashkët brenda BE-së”.
“Do të jetë e nevojshme të flasim shumë dhe mbi të gjitha të flasim më pak për njëri-tjetrin ose rreth njëri-tjetrit. Në këtë rast, është edhe më e rëndësishme që të gjithë t’u kushtojmë vëmendje fjalëve që përdorim”, ka theksuar Tanja Fajon, ministre e jashtme e Sllovenisë.
Vuçiqi u tha mediave vendase të martën se Serbia ka rënë në kurthin e ngritur nga ShBA, Zvicra dhe Sllovenia në seancën për Kosovën në KS të OKB-së. “Kur u vonua mbledhja e Këshillit të Sigurimit, pyeta veten se çfarë ishte kjo dhe kush po vinte njerëzit, dhe protokolli i OKB-së nuk i lejoi menjëherë të hynin në ndërtesë”, tha presidenti serb, raporton N1.
Në mbledhjen e të hënës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani solli disa gra të mbijetuara të dhunës seksuale e të masakrave nga lufta për të dëshmuar për krimet serbe.
“Por pastaj e kuptuam se për këtë ishin marrë vesh me amerikanët, sllovenët dhe zviceranët dhe të gjithë të tjerët. Nuk dihet kush është më i neveritshëm, sllovenët apo dikush tjetër që foli dje (të hënën, 22 prill)”, tha Vuçiqi për mediat serbe.