Xavi Hernandez ka këmbëngulur se shkoi në Barcelonë vetëm për pushim të verës dhe se nuk di gjë rreth thashethemeve për postin e trajnerit të Barçës.
Xavi mbërri në Katalonjë të hënën me plot 22 valixhe, pasi përfundoi sezoni 2020/21 për skuadrën e tij Al Sadd.
Ai u pyet nëse do ta zëvendësojë Ronald Koemanin në postin e trajnerit të Barcelonës. Por Xavi e hodhi poshtë një lajm të tillë, duke thënë se është në Barcelonë vetëm për pushime.
Mesfushori legjendar i Barcelonës shoqërohej nga familja e tij në kryeqytetin katalan, të cilin kishte dy vjet pa e vizituar.
I pyetur disa herë nga gazetarët në aeroport nëse do ta merrte drejtimin e Barçës, Xavi tha: “Nuk di asgjë, kam ardhur këtu për pushim”.
Javë më parë, Xavi e vazhdoi marrëveshjen me Al Saddin deri më 2023, megjithëse klubi nga Katari ka thënë se nuk do ta pengojë spanjollin nëse ai merr ofertë nga Barcelona. /G.Express/