Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Faruk Nura, ka premtuar se do të jetë zë i fuqishëm i bashkëvendasëve të tij vitias, por edhe i gjithë Anamoravës, transmeton Kosova Post.
Si pjesë e politikës aktive për 20 vite, Nura ka thënë se përfaqësimi qytetar nga ana e tij do të jetë i pastër dhe vetëm në interes të shtetit dhe qytetarëve, sepse tha ai unë nuk jam ‘hipotekë’ e asnjë subjekti politik.
“Nëse do të jem deputet në parlament unë zërin do ta ngrisë për Vitinë dhe përgjithësisht për Anamoravën dhe mendoj se nga eksperienca ime qe 20 vite në poste qeveritare që kam qenë, ajo çka është më e rëndësishme është se unë nuk jam hipotekë e askujt, e asnjë subjekti politik, madje as e partisë sime ku unë qëndrojë, e jam i gatshëm të ballafaqohem edhe me kryetarin tim , Ramush Haradinajn, nëse nuk është e nevojshme, nëse nuk implementohen interesat e regjionit tem, Vitisë, jo të jap dorëheqje por edhe me kushtëzim politikisht, sepse është e nevojshme që Vitia të ketë profile të cilët janë në parlament, por nuk janë hipotekë politike e askujt, por mbrojnë interesat e regjionit të vetë, interesat e komunitetit të vetë”, u shpreh Nura.
Nura, ka përsëritur se nëse do të jetë deputet do të ketë stil përfaqësimi krejt ndryshe nga të tjerët.
“Nëse unë do të jem në parlament, do të kem një stil krejt ndryshe. Jo stili i X- deputetëve që vetëm bëjnë zhurmë në parlament, por unë do ta kem një stil pothuaj të një senatori amerikanë, sepse do të kem edhe një zyrë përcjellëse në Viti, por edhe një zyrë tjetër përballë parlamentit, ku me ekspertë dhe njerëz profesionistë do të jem në kontakt që çdo projektligj dhe çdo iniciativë e cila do të jetë në interesin e qytetarëve do ta shtrojë më ndryshe se deri më tani”, ka theksuar Nura.
Tutje Nura ka shtuar se si deputet do të mundësojë ofrimin e kuadrove nga Vitia që të jenë pjesë e politikbërjes në Prishtinë, ndërsa shton se do të fokusohet edhe në tërheqjen e investimeve të financuara nga buxheti i shtetit, rritjen e investimeve kapitale për Vitinë.
Nura ka kujtuar se do të punoj ngusht me pushtetin qendror në realizimin e kërkesave dhe nevojave të vitiasve dhe se për realizimin e programit të tij nuk do të bëjë kompromise, para interesit qytetar.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Vitisë dhe Anamoravës, që mos të votojnë kandidatë nga Drenica e Skenderaji, por të votojnë kandidatët nga Vitia e Anamorava, për siç tha ai nëse duan të fuqizojnë përfaqësim të fuqishëm politik në organet shtetërore qendrore.
Nura ka folur edhe për kandidimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, për President të Kosovës, ndërsa ka thënë se zgjedhja e Haradinajt president është në interes të shtetit dhe qytetarit. “Zgjedhja e Haradinajt president prodhon stabilitet”, ka thënë Nura. /Kosova Post/