Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvillon këtë javë vizitën e saj të parë zyrtare në Berlin, ku takohet me presidentin Steinmeier, ministrin e Jashtëm, Heiko Maas dhe përfaqësues nga diaspora, ekonomia dhe shkenca.
Osmani takohet të martën pasdite, 14.09.2021 me homologun e saj gjerman, Frank Walter Steinemeier. Për presidentin gjerman, i cili është në detyrë që prej vitit 2017, është hera e parë që pret në rezidencën e tij një president ose presidente nga Kosova. Dy paraardhësit e tij, Horst Köhler, dhe Joachim Gauck, kanë pritur në vitet 2010 përkatësisht 2013, presidentin Fatmir Sejdiu dhe presidenten Ahtifete Jahjaga. Vetëm Hashim Thaçi, nuk u prit kurrë nga ndonjë president i Gjermanisë zyrtarisht si homolog.
Biseda mes Osmanit dhe Steinmeierit pritet të jetë miqësore, edhe për faktin, që presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, e njeh mire Kosovën dhe rajonin, pasi ka qenë një nga lobuesit e palodhshëm për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj, pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Steinmeier atëherë ishte ministër i Jashtëm në qeverinë Merkel I dhe ka qenë i pranishëm edhe në varrimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në fillim të vitit 2006. Para se të fillonte detyrën si ministër i Jashtëm, ai ka qenë shef i kabinetit të ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder.
Fokusi tek ekonomia
Por takimi Osmani-Steinmeier pritet të jetë një takim me karakter më shumë simbolik. Temat aktuale të politikës gjermane në Ballkanin Perëndimor, Osmani pritet t’i shtjellojë me ministrin e Jashtëm, Heiko Maas, të mërkurën. E këtu pritet të mos mungojnë dy çështje: dialogu Serbi-Kosovë dhe bashkëpunimi rajonal, që do të thotë konkretisht, që Kosova të angazhohet për jetësimin e projektit të Procesit të Berlinit, që përfshihet nën emrin Tregu i Përbashkët Rajonal. Të dyja proceset kanë ngecur në vend. “Mungesa e progresit në këto dy procese po pengon rajonin për të ecur përpara drejt rrugës së BE-së”, i tha DW-së kohë më parë në një intervistë sekretari gjerman i shtetit për punë të jashtme, Miguel Berger.
Jo takim me kancelaren Merkel
Vetëm kancelarja Angela Merkel, e cila pak kohë më parë u shpreh si mbështetëse e grave, nuk gjeti kohë të takohet me gruan, që në Kosovë e quajnë me simpati, Merkel-in e Kosovës. Zyra e shtypit e qeverisë gjermane nuk pranoi ta jepte sqarime, ndaj pyetjes së DW. “Ne zakonisht nuk i komentojmë kërkesat që i vijnë Kancelares për takime,” i tha një zëdhënës DW.
I pyetur nga DW se si janë marrëdhëniet Kosovë-Gjermani, pasi Kosova është një nga vendet që nuk po e pranon miratimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, ai u përgjigj: „Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë janë shumë të mira. Kancelarja Merkel ka telefonuar me homologun saj, Albin Kurti, në muajin maj. Gjermania i mbështet reformat politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit – përfshirë edhe Kosovën”.
Më tej zëdhënësi kujtoi bisedën që do të zhvillohet po të martën, 14.9, në Tiranë, mes kancelares Merkel dhe homologut të saj kosovar, Albin Kurti, dhe shtoi: “Veç kësaj, është gjë e mirë që në Samitin e Procesit të Berlinit, më 5 korrik, të gjithë pjesëmarrësit deklaruan gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar për krijimin e një Tregu të Përbashkët që përfshin të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor.”