Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka ndaluar mjekut Bekim Ademi t’i afrohet Qendrës Klinike Universitare pas arrestimit nën dyshimin se kishte hapur histori të rreme për ish-kryetarin e Kllokotit në mënyrë që t’ia mundësonte shmangjen nga gjyqi, ka njoftuar avokati i tij Kujtim Kërveshi, përcjell KosovaPost.
Sipas Kërveshit, Themelorja ka vendosur që Ademi të mos i lejohet t’u afrohet objektit dhe personave të caktuar. Sipas tij, s’ka pengesë që Ademi megjithatë të vazhdojë me ofrimin e shërbimeve jashtë objektit të QKUK-së.
“Ne presim që Prokuroria Speciale t’i grumbullojë shpejtë provat që i nevojiten dhe kështu Dr. Ademi të ketë mundësi të vazhdojë t’ju shërbejë pacientëve në objektin e SQKUK duke e zbardhur plotësisht rastin në fjalë. Deri më tani, procedimi i çështjes ka qenë i shpejtë si nga Prokurori Special ashtu edhe nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka njoftuar Kërveshi në Facebook.
Postimi i plotë:
Për palët e interesuara
Në cilësinë e avokatit të Dr. Bekim Ademi, deklaroj se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ndaj Dr. Ademi për të cilin u raportua sot se është i arrestuar, kjo gjykatë sot ka vendosur masën e ndalimit për tju aftuar objektit dhe personave te caktuar dhe se nuk ka asnjë pengesë tjetër që Dr. Ademi të vazhdoj të ofroj shërbimet ndaj pcientëve jashtë objektit të SQKUK.
Ne presim që Prokuroria Speciale ti grumbulloj shpejtë provat që i nevojiten dhe kështu Dr. Ademi të ketë mundësi të vazhdoj t’ju shërbej pacientëve në objektin e SQKUK duke e zbardhur plotësisht rastin në fjalë.
Deri më tani, procedimi i çështjes ka qenë i shpejtë si nga Prokurori Special ashtu edhe nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Duke marr shkas nga interesimi që kishim, ky komunikim mund të përdoret nga mediumet dhe portalet pa ndërhyrje në përmbajtjen e tij!