Nga Grupi Parlamentar i AAK-së kanë thënë se mbeten të shqetësuar me rritjen enorme të çmimeve dhe jo stabilitetin ekonomik në vend.
Deputeti nga ky subjekt Pal Lekaj në tryezën e organizuar nga ky grup parlamentar për këtë temë tha se rritja e çmimeve është bërë e papërballueshme për qytetarët.
Përkundër rritjes së çmimeve, ai tha se në vend ka kohë që pagat dhe pensionet nuk janë rritur.
Deputeti Lekaj ka marrë iniciativën për mbajtjen e një debati parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve dhe mosrritjen e pagave.
Sakip Imeri nga Autoriteti i Konkurrencës tha se mandati i këtij autoriteti është të mbajë konkurrencën e lirë në treg pra jo, siç tha ai, për rritjen e çmimeve.
“Ne si autoritet nuk kemi rol të rregullimit të çmimeve”, tha ai, transmeton kosovapress. Në këtë tryezë, e cila po mbahet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, po marrin pjesë edhe përfaqësues nga shoqatat e konsumatorëve dhe biznesit.