Një llavë qensh endacak në mes të Prishtinës për pak sa nuk e mbytën Sylejman Krasniqin, 68 vjeçar.
Atij i lanë hiç më pak se 30 plagë në krejt trupin.
Krasniqi ishte duke zbarkuar në parkingun e QKUK-së, për të shkuar për një kontrollë mjekësore por i doli krejt e kundërta. Para 7 ditëve, më 4 korrik, Krasniqi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, me të dalë nga makina, u sulmua nga më shumë se 20 qen.
Meqë 68 vjeçari tashmë është në një gjendje të rëndë shëndetësore, si fizike ashtu edhe psiqike, rrëfimin për Kiks Kosovën, e dha vajza e tij, Hana Krasniqi.
Sipas Hanës, e ëma kishte dalë me vrap nga vetura duke tentuar t’i largoj qentë duke i gjuajtur me gur.
Duke qenë se jeton jashtë Kosovës, me të dëgjuar për situatën e krijuar, Hana ishte nisur menjëherë nga Gjermania për në Kosovë.
E bija drejton gishtin kah dy institucionet – Komuna e Prishtinës dhe Policia e Kosovës, duke thënë se asnjëri nga ta nuk ndërmorën asgjë.
Krasniqi akuzon edhe qendrat e mjekësisë familjare në qytet. Hana pretendon se stafi mjekësor aty i ishin referuar me fjalë të rënda babait të saj, kur atë e kishin dërguar për trajtim.
Familja Krasniqi janë duke e konsideruar që të bëjnë padi kundër Komunës së Prishtinës. Mos veprimin e komunës si në rastin e babait të saj, e njëjtë si në gjithë situatën e krijuar me qentë endacak në kryeqytet, Hana thotë se ndoshta rrugët ligjore do të ndikonin që Komuna të kthej fokusin kah qytetarët.
Përveç lëndimeve të rënda trupore të cilat po i vuan 68 vjeçari, Sylejman Krasniqi, Hana, e bija e tij, thotë se me gjendje të rënduar psiqike janë e tërë familje dhe se do t’iu duhet kohë që ta përballojnë atë.