Në mesin e situatës së përshkallëzuar në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë, në gjirin e BE-së po planifikohet një ushtri e bllokut europian prej 5000 trupash, e cila aktivizohet automatikisht dhe dërgohet në betejë pa e pasur nevojën e mbështetjes nga të 27 qeveritë e vendeve anëtare.
Ajo do të jetë e përbërë nga forca tokësore, detare e ajrore dhe mund t`i përgjigjet me shpejtësi një situate krize. Pohimi i shefit të diplomacisë europiane, Joseph Borell sakaq se ajo mund të dërgohet në zona lufte pa qenë nevoja të kalojë më parë nëpër procedurat e dritës jeshile të anëtarëve të Bashkimit Europian, ka shkaktuar përplasje.
Por Borell insiston se “grupe më të vogla vendesh mund të zgjedhin të hidhen në veprim, sepse nuk mund të vendosim unanimisht cdo hap të procesit”. Ministri i Brendshëm në detyrë i Gjermanisë, Horst Seehofer është shprehur, se BE duhet të veprojë tani që të ndihmojë Poloninë në sigurimin e kufijve.
Por Polonia e ka refuzuar deri tani ofertën e ndihmës së Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex, me argumentin se ka policë e ushtarë në mënyrë të mjaftueshme. Kritikët thonë, se Varshava nuk do të vëzhgohet në veprimet e saj në zonën e rrethuar kufitare, sepse ka raportime për kthime të detyruara.
Kritika për mospërzierjen e BE për zhvillimet në kufijtë e jashtëm vijnë nga Të Gjelbrit gjermanë, që po negociojnë për qeverinë e re. Zëdhënësja e grupit parlamentar, Katrin Göring-Eckardt tha se duhet t’i thuhet “jo kthimeve jodinjitoze”./t.ch