Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka rikujtuar 55 vjetorin e shembjes së kishave dhe xhamive, nga ana e diktaturës komuniste në vitin 1967. Basha shkruan në rrjetet sociale, se në këtë përvjetor duhet nderuar sakrifica bujare e klerikëve dhe besimtarëve që mbajtën ndezur besimin.
‘Sot 55 vite më parë, diktatura që u kishte shpallur luftë të gjitha fuqive të globit, nisi luftën edhe kundër Zotit. Kishat, xhamitë dhe teqetë u hodhën në erë, klerikët u vranë, u torturuan dhe u burgosën, besimtarët u përndoqën. Në këtë përvjetor ne duhet të nderojmë sakrificën bujare të klerikëve dhe besimtarëve që e mbajtën ndezur dritën e besimit nën terrorin e regjimit komunist. Dekadat e ankthit dhe shkretëtirës shpirtërore e morale nuk duhen harruar kurrë. 30 vitet e tranzicionit nuk e kanë bërë drejtësinë për atë terror të pashembullt. Modelet e asaj tradite të keqe komuniste vijojnë të lëndojnë lirinë dhe virtytin e besimit.’- shkruan kreu i PD-së.
Në vitin 1967 me shembjen e kishave dhe të xhamive, Shqipëria u bë i pari vend ateist në botë. Regjimi komunist i Shqipërisë e shpalli fenë të paligjshme dhe zhvilloi një fushatë të gjatë shtypjeje kundër besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, duke burgosur dhe ekzekutuar klerikë dhe duke përndjekur familjet e tyre, por disa vazhduan ta praktikonin besimin e tyre në fshehtësi.