Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i KQZ-së, Ibrahim Selmanaj nga subjekti i AAK-së ka këkruar nga KQZ-ja rinumërim të plotë të votave, pasi siç ka thënë ai vetëm në këtë mënyrë do të pastrohet procesi zgjedhor, shkruan Kosova Post.
“Hetuesia duhet të merret me secilin komisionerë në secilën qendër e vendvotim aty ku ka bërë ndërhyrje, dhe kërkoj nga KQZ-ja që të bëhet një rinumërim i plotë në mënyrë që të pastrohet si proces në mënyrë që të evidentohen keqpërdorimet”, tha Selmanaj.
Ndërkaq kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se për rinumërim të plotë vendos KQZ-ja, ajo shton se nëse pajtohen të giithë anëtarët atëherë kjo mund të ndodhë.
“Objekti i hetimit nuk janë kutitë tjera por janë vetëm ato që janë rinumëruar ditën e parë ato të votave me kusht ato janë objekt i hetimit por jo edhe ato që janë duke u rinumëruar edhe ato 134 të ditës së djeshme nuk janë objekt i hetimit, por nëse dalin dallime do të hetohen edhe ata komisionerë, sa i përket rinumërimit total nuk mundem me dhënë ndonjë vendim dhe ajo është çështje e vendosjes së KQZ-së dhe nëse merr përkrahjen atëherë do të ndodhë”.
Tutje anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se kjo kërkesë e shtruar për rinumërim të plotë të votave është një kërkesë politike.
“ Unë mendoj që një rinumërim i plotë i votave duhet me qenë i domosdoshëm vetëm atëherë kur do të dalin rezultatet dhe do të kemi ndonjë pengesë ose mendojmë që ky proces ka qenë krejtësisht i korruptuar dhe i keq, kjo kërkesë e një rinumërimi është kërkesë politike” ka shtuar Kurteshi.