Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbajtur tubimin e radhës në Vushtrri.
Nga atje, kryetari njëherësh kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku, e ka uruar presidentin e 47-të të ShBA-së, Donald Trump, për kthimin në Shtëpinë e Bardhë.
Abdixhiku, gjatë fjalimit në Vushtrri, u zotua se nën udhëheqjen e tij, relacionet mes Kosovës dhe ShBA-së do të jenë “të shkëlqyeshme, të pathyeshme dhe të pazëvendësueshme”.
“Siç do të thoshte Presidenti Rugova, më lejoni që nga Vushtrria t’i shpreh urimet më të mirat të LDK-së dhe të popullit të Kosovës për Presidentin amerikan, për marrjen e detyrës pas inaugurimit. Urojmë gjithë të mirat për popullin e madh amerikan, mikun tonë më të madh. Zotohem nga këtu se në Qeverinë tonë të ardhshme, relacionet tona me ShBA-në, si përherë, do të jenë të shkëlqyeshme, të pathyeshme dhe të pazëvendësueshme! Po ashtu zotohem se vizitën e parë si kryeministër do ta bëj në Amerikë, dhe kërkesa e parë do të jetë Kampi Bondsteel të bëhet i përhershëm”, u shpreh Abdixhiku.