Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nënshkruan sot Memorandum Mirëkuptimi me qëllim të ndihmës së ndërsjellë për përshpejtimin e proceseve të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, përcjell KosovaPost.
Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Nazmi Mikullovci, dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, të cilët, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, theksuan se me Memorandumin e nënshkruar do të shtohet efikasiteti në shqyrtimin e lëndëve për përmbylljen e procesit të likuidimit të ndërmarrjeve nga ana e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Sikundër bëhet e ditur në komunikatë, qëllimi i këtij Memorandumi është përcaktimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) me synim efikasitetin dhe ekonomizimin e procedurave, të cilat parashihet të arrihen me angazhimin e disa ofruesve të shërbimeve/juristëve të diplomuar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, lidhur me çështjet administrative në procesin e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
AKP, si agjenci e pavarur, dhe KGjK, si institucion i pavarur, shprehën gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit të mëtejmë ndërinstitucional, me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta, që është adresimi me kohë i lëndëve pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, thuhet në komunikatë.