Publicisti dhe ish-diplomati, Blerim Reka, ka reaguar pas deklarimeve të presidentit rus, Vladimir Putin, në takimin e së martës me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ku presidenti rus ka thënë se Donetsku e Luhansku janë bërë shtete të pavarura sipas analogjisë së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës, shkruan Kosova Post.
Tutje Reka, ka shkruar në Facebook se “Analogjinë e mëhershme false të “Krimesë me Kosovën”, dje Putini e “begatoi” edhe me atë të Donbasit”.
Për më tepër Reka shkruan se “Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Guterres, ai u mundua ta shes krahasimin e paqëndrueshëm të dy rasteve krejtësisht të ndryshme”.
“Pavarësia e Kosovës lindi nga lufta çlirimtare kundër një shteti të huaj pushtues që ushtronte apartheid dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare. Ndërkaq, Kremlini njohu njëanshëm ‘pavarësinë’ e Krimesë, Donetskut e Luganskut për t’i bashkuar Rusisë. Kosova, pra luftoi për çlirim kundër shtetit të huaj (Serbisë), duke e mbrojtur territorin e vet nga ky pushtim. Krimea dhe Donbasi, ndërkaq u ‘pavarësuan’ me pushtimin nga një shtet i huaj (Rusia) duke shkëputur territor të Ukrainës”, ka shkruar Reka në Facebook.
Postimi i plotë:
Analogjitë false të Putinit
Analogjinë e mëhershme false të “Krimesë me Kosovën”, dje Putini e “begatoi”edhe me atë të Donbasit. Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Guterres, ai u mundua ta shes krahasimin e paqëndrueshëm të dy rasteve krejtësisht të ndryshme.
Pavarësia e Kosovës lindi nga lufta çlirimtare kundër një shteti të huaj pushtues që ushtronte aparthejd dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare. Ndërkaq, Kremlini njohi njëanshëm “pavarësinë“ e Krimesë, Donjeckut e Luganskut për t’i bashkuar Rusisë. Kosova, pra luftoi për çlirim kundër shtetit të huaj (Serbisë), duke e mbrojtur territorin e vet nga ky pushtim. Krimea dhe Donbasi, ndërkaq u “pavarësuan” me pushtimin nga një shtet i huaj (Rusia) duke shkëputur territor të Ukrainës.
Jo se këto nuk i din presidenti i njerit nga 5 shtetet-anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Aq më tepër që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dallon qartë keto dy raste, duke vendosur ndryshe. Në vitin 2010, GJND-ja konkludoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Po kjo gjykatë e OKB-së muajin e kaluar, e dënoi invazionin rus në Ukrainë, si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Më qartë se kaq shëndosh. Mirëpo, “analogjia” e Putinit synon mbajtjen e Serbisë në orbitën ruse para “hapjes së letrave” në “pokerin e madh” në East River.
Kuptohet, nëse ndërkohë, ai nuk gjykohet për krime lufte.