Shkruan: Besnik Jaha
Anomali që shpërfaqin dështimin e Kurrikulës së Re të Arsimit Parauniversitar të Kosovës
Kur shkova në trajnimin për Kurrikulën e Re, dëgjoja shumë kolegë profesorë, sidomos të moshuar, që nga paniku se nuk do ta përvetësonin Kurrikulën e Re, apo se “u bë tepër ma t’u i nd’rru kurrikulat” , reagonin e shprehnin pakënaqësi. Pasi e përvetësova Kurrikullën e Re, edhe unë për pak kohë pata rezervat e mia. Për këtë arsye shkova edhe në trajnimin për trajner të Kurrikulës së Re. E, kur e përfundova trajnimin për trajner, e ndava mendjen: kjo kurrikulë, në këtë formë, nuk mund të zbatohet te ne. Disa nga arsyet mund t’i shihni më poshtë:
1. Një nga risitë e Kurrikulës së Re është ndryshimi nga dy gjysmëvjetorë në tri periudha. Mirëpo ka diçka që nuk shkon në këtë ndarje, e ajo është koha e ndarë për periudhat. Derisa periudha e parë nis në shtator dhe përfundon në fund të dhjetorit (4 muaj mësim), e dyta nis në gjysmën e janarit dhe përfundon në fund të marsit (jo komplet 3 muaj mësim), ndërsa e treta nis në gjysmën e prillit dhe përfundon në gjysmën e majit për maturantët (këtë vit më 13 maj), dhe në fillim të qershorit për klasët e 10-ta dhe të 11-ta (këtë vit më 3 qershor), apo, krahasuar me dy periudhat e para, për maturantët vetëm një muaj e pak mësim, e për klasët e 10-ta dhe të 11-ta vetëm një muaj e gjysmë.
Tani, unë nuk e kam kuptuar asnjëherë se çfarë të drejte ka periudha e parë të ketë dy muaj më shumë kohë sesa e treta! Kur bëhet fjalë për maturantët, dallimi është edhe më i thellë. Dhe gjithmonë kam besuar se kjo ndarje e padrejtë do të krijojë anomali qesharake, siç është kjo e këtij viti. Paramendojeni nëse një profesor i Sociologjisë, Psikologjisë, Fizikës, Kimisë, Gjeografisë, Historisë, TIK-ut etj., këtë vit e ka pasur fatin që orën e mësimit ta jepte ditën e hënë, me 5 të hëna pushim! Dhe, në krejt periudhën e tretë i bie t’i mbajë 3 orë me klasët e 10-ta dhe të 11-ta, dhe asnjë orë me maturantët.
Tani, le të më thonë nga MAShTI se si duhet të veprojnë profesorët e akëcilave lëndë u ka rënë të kenë mësim ditën e hënë dhe të cilët kanë vetëm një orë në javë! T’ua lënë notat pa asnjë orë mësim?! Kjo anomali shpërfaq nevojën e madhe për korrigjimin e kësaj kurrikule. Sepse, si e këtillë, thjesht e importuar copy-paste, më falni, edhe, google translate, kjo kurrikulë nuk mund të funksionojë.
Pikërisht është kjo anomali, që për ironi edhe i jep sens motos në të ashtuquajturën protestë të nxënësve, s’po shkohet në shkollë. Po, tamam, pa shku n’shkollë me marrë nota. Aferim Kurrikulës së Re!
2. Te Qëllimet e Kurrikulës së Re, si qëllim i parë renditet “Kultivimi i identitetit personal, kombëtar, i përkatësisë shtetërore e kulturore”. Në anën tjetër ende pa e formuar identitetin personal, dhe ende pa e njohur identitetin kombëtar, esencën e identitetit kombëtar, gjuhën, Kurrikula e Re vendos që një gjuhë e huaj, në këtë rast angleze, të mësohet që nga klasa e parë. Nuk mund të ndërtohet identitet dyhotomik njëkohësisht. Fëmijët e asaj moshe ende nuk e njohin gjuhën amtare, e tani u duhet të mësojnë edhe një gjuhë tjetër të huaj njëkohësisht! Për më tepër, për t’ua bërë lëmsh trutë, është intervenuar edhe në abetare, më saktë në rendin e shkronjave. Aferim u qoftë, se vërtet kanë menduar për të mirën e fëmijëve (që ata të angazhohen më shumë në mbamendje)! Po, pse vallë nuk ndërroi kurrë rendi i shkronjave në anglisht, apo në cilëndo gjuhë tjetër përveç kësaj tonës?! Duhet kuptuar se është e domosdoshme të kthehet rendi i klasik i shkronjave, a, b, c, ç, d, dh, e, ë…z, që mos të vazhdohet anomalia në praktikë; mësuesja i thotë fëmijëve se do të lexojmë në abetare faqe 15, ku teksti shembull është i mbushur me shkronja që ende nuk janë mësuar. Aman, po si të lexojnë fëmijët?! Rendi i shkronjave duhet ta determinojë arbitrarisht edhe tekstin shembull më poshtë shkronjave. Si në abetaret e dikurshme. Si në abetaren e Mehmet Gjevorit.
3. Nuk besoj se ka mësues në sistemin parauniversitar të Kosovës që është i kënaqur me mënyrën e vlerësimit të paraparë me Kurrikulën e Re. Sepse pikërisht vlerësimi e ka shkatërruar trekëndëshin pedagogjik (Mësues, nxënës, prind). Pra, vjen prindi në shkollë ta shohë suksesin e fëmijës, kurdo qoftë përveç javës së fundit para përfundimit të periudhës, dhe kujdestari ia hap ditarin në të cilin nuk ka asnjë notë. Më vjen keq, – i thotë kujdestari, ¬- notat janë në ditarët personal të mësimdhënësve, dhe ata i vendosin në ditarin zyrtar vetëm në javën e fundit! Dhe tani prindi i shkretë na u dashka ta takojë secilin profesor! Edhe nëse kushtet e mundësojnë, kjo është e pamundur në aspektin e kohës, sidomos në shkollat me shumë nxënës.
Pastaj, një nxënës mund ta marrë një 3 në periudhën e parë, dhe mund t’ia futë gjumë demokracie për gjithë pjesën tjetër të vitit, dhe prapë merr notë kaluese në fund të vitit. Apo e kundërta, të ketë qenë në gjumë për gjithë vitin, dhe një muaj pa e përfunduar vitin ta marrë një 3. Kjo mënyrë vlerësimi e rrit mundësinë për nota joreale (të falura). Sepse, të gjithë e mendojnë, edhe nëse nuk e shprehin: hajt se maturantë!!
Po ashtu, edhe përqindja e ndarjes së notave prodhon anomali. 60% për Vlerësimin Përfundimtar 1 (që del si notë nga disa instrumente vlerësimi), dhe 40% për VP2 (që del si notë zakonisht nga një instrument vlerësimi-zakonshëm testimi). Tani, imagjinojeni nëse një mësimdhënës ka 5 instrumente vlerësimi për VP1! Atij i duhet të merret me vlerësimin e nxënësve në pjesën më të madhe të orëve të mësimit. Në këtë mënyrë nxënësit humbasin mësimin, dhe mësimdhënësi fiton antipatinë, sepse bëhet i urryer prej nxënësve, meqë në çdo orë, pas 3 javë mësimi, merret me vlerësim. Dhe sigurisht se kjo prodhon stres dhe pakënaqësi te fëmijët. E, për të qenë një orë e suksesshme, një shkollë dhe një arsim i suksesshëm, duhet se duhet investuar shumë në elementin e dashurisë; që fëmijët ta duan shkollën dhe mësuesin, dhe që mësuesi ta dojë mësimdhënien dhe fëmijët.
Një propozim konkret në këtë pikë është ndërrimi i përqindjes së notave; VP1, 60%, që duhet të dalë në ditarë në javën e fundit të periudhës, të ketë vlerë 40%, dhe të vendoset kurdo gjatë periudhës (kështu do të kthehej trekëndëshi pedagogjik, sepse prindi mund ta shohë një sukses të përafërt të fëmijës kurdo që dëshiron), dhe VP2 të kthehej në 60%, dhe të vendoset në javën e fundit të periudhës (kështu nxënësit do të rrinin më të angazhuar gjatë gjithë periudhës).
Gjithashtu është me interes, sidomos për shëndetin e fëmijëve, që mos të ketë shumë instrumente vlerësimi, sepse ndodh që në një periudhë fëmijët, përveç javës së parë, eventualisht edhe të dytës, për çdo ditë, deri në fund të periudhës, të vlerësohen në dy-tri lëndë. Dhe po ndodhi kështu, sigurisht se shkolla nuk do të ishte vend i dashur për fëmijët.
4. Kurrikula e Re e përdhos edhe më dinjitetin e mësimdhënësit. Me këtë kurrikulë mësimdhënësi nuk është më frymëzuesi, por vetëm një punëtor teknik e administrativ. Secili mësimdhënës, për çdo vit, duhet të bëjë 500-600 faqe përpilim planesh; plan vjetor, plan dymujor, plan javor, plan të orës (dikur ishte plan i ditës, e tani plan i orës mësimore). Gjithë kjo planomani mësimdhënësin po e kthen në një punëtor teknik, në një person që e urren faktin se ka mbetur aty (nëse është pak në moshë), apo që do ta lërë punën në mundësinë e parë që gjen më mirë (nëse është mësimdhënës i ri). Nëse një shoqëri (shtet-qeveri) do sukses në arsim, duhet të investojë me dashuri në arsim. Sepse shkolla nuk është vetëm objekt, por është koncept. Dikur të moshuarit thoshin “A ki shkollë” jo për objektin, por për edukimin. Dhe edukimi kërkon respekt dhe mirësjellje. Dy faktor themelorë që i kanë munguar çdo qeverie në këtë vend. Mësimdhënësit ia kanë humbur respektin, dhe nuk e kanë trajtuar me mirësjellje. Epo, të pritet mbjellje e respektit dhe mirësjelljes prej tyre tani është banalitet.
Kthejani dinjitetin mësimdhënësit, dhe rezultatet pozitive do ta mbulojnë këtë shoqëri!
Për Kurrikulën e Re mund ta dendë këtë shkrim edhe me shumë pika që prodhojnë anomali në arsim, mirëpo këtë herë po e lëmë me kaq. Të shpresoj se do të ndërmerret diçka për të përmirësuar ndonjë gjë, epo jeta në Kosovë më ka mësuar që mos të shpresoj! Më vjen keq! Më falni!