Është prekur shumë Isa Mustafa nga qytarët që kanë braktisur LDK-në. E pakuptueshme për Isën një gjest i tillë, por megjithatë, Isa e ngushëllon veten që ata nuk dinin më shumë. Ai pranon haptas që votuesit e tij deri dje ishin injorantë, sepse po të dinin më shumë nuk do të kalonin në Vetëvendosje. Por me të njëjtën logjikë, edhe vota që ua kishin dhënë LDK-së më parë duhet të ketë buruar nga e njëjta injorancë.
Por Isa e ka të vështirë, në përgjithësi, ta kuptojë qytetarin se pse e ndëshkoin LDK-në kur ajo bëri një punë kaq fenomenale, aq fenomenale në fakt saqë Isa, po t’i jepej mundësia përsësi, do ta vazhdonte avazin e vjetër. Thotë Isa që qytetarët e ndëshkuan sepse LDK-ja “nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit…” Populli e ndëshkoi LDK-në sepse ajo nuk iu nënshtrua propagandës, dhunës dhe presionit të majtë! Çka do të thotë kjo? Do të thotë që qytetarët kosovarë knë zgjedhur propagandën, dhunën, dhe presionin e majtë mbi vlerat demokratike të LDK-së. Qytetarët kosovarë janë rreshtuar pas dhunës dhe presionit të majtë, dhe sigurisht pasojat e një vendimi të tilllë nuk do të jenë të mira as për qytetarin dhe as për Kosovën. Por jo vetëm kaq? Ai vazhdon fjalinë duke tërhequr një paralele shokuese që thotë se LDK u ndëshkua sepse ajo nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit, «ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia në vitet e nëntëdhjeta».
Analizoje këtë logjikisht:
Premisa e parë: LDK-ja qëndron për vlera demokratike.
Premisa e dytë: Qytetarët e Kosovës e ndëshkuan LDK-në sepse ajo nuk u nënshtrua ndaj dhunës e presionit të majtë, ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia. Rrjedhimisht,
Përfundimi i paevitueshëm logjik: qytetari kosovar sot është si serbi i viteve të nëntëdhjeta që po e ndëshkon LDK-në stoike për qëndrueshmërinë e saj parimore ndaj propagandës, presionit dhe dhunës.
Qytetari kosovar në mbështetjen e tij të VV-së, në ndëshkimin e tij të LDK-së, është në të njëjten pozitë të pranimit të ushtrimit të dhunës dhe presionit që bënte Serbia dikur. LDK-ja është parti heroike por edhe viktimë e një ndëshkimi të padrejtë, sepse ajo nuk po bente asgjë tjetër pos që po mbronte dhe ushtronte vlerat demokratike. Të ndëshkohesh për mbrojtjen e vlerave demokratike është të ndëshkohesh sepse qëndrove stoik ndaj dhunës, propagandës dhe presionit të majtë. Prandaj Isa shtiret sikur nuk e kupton pse po e ndëshkon populli. Meqë ata udheheqën aq mirë dhe aq drejtë, udhëheqën në mënyrë demokratike me Kosovën, ndëshkimi jo vetëm që është një akt i padrejtë, por e bën edhe popullin ushtrues të dhunës pasi që sigurisht ai ka rënë viktimë e një ideologjie të mbrapsht të majtë. Ky popull ma mirë të mos ekzistojë apo të shpëndahet apo të zëvendësohet me një tjetër.
Nuk është çudi prandaj që Isa nuk dëshiron as të reflektojë as të pendohet për gabimet e tij politike, që ishin shkaku kryesor i përgjysmimit të LDK-së. Në botëkuptimin e tij ai nuk ka bërë asnjë gabim, asnjë devijim, prandaj edhe nuk e sheh aspak të arsyeshme të kërkojë falje, por madje këmbëngulë që do të merrte të njëjtët vendime po të i jepej mundësia. Këtu është populli fajtor, ky popull injorant që nuk di më shumë dhe që lehtë bie viktimë e ligjërimeve të dhunshme të majta.
Isa nuk sheh asnjë arsye për t’u penduar, për të ndryshuar, për të reflektuar mbi veprimtarinë e LDK-së, sepse pikërisht ai nuk i beson popullit, sepse demokracia për të është vjelje e votave por përtej këtij gjesti simbolik populli duhet të heshtë. Demokracia e LDK-së është demokraci e pranueshme vetëm nëse populli bën zgjidhjen e drejtë, vetem nëse ia jep votën partive të djathta që vendosin për popullin, pa e konsulltuar atë, në mënyrë autokratike. Por kur populli nuk ua jep votat atëherë të gjitha pretendimet dhe maskat demokratike bien, dhe çka del në pah është një monizëm autokratik që sduron dot të kundërshtohet apo, Zoti na ruajtë, të shpaloset si autokrat i papërmirësueshëm.
Ka një dallim të madh mes të qenurit parimor dhe të qenurit irracional. Kur dikush ta dëshmon që ke bërë gabime dhe që disa gabime ishin të pafalshme është e arsyeshme dhe parimore, që të pranohen gabimet, të premtohet që në të ardhmen nuk do të përsëriten ato gabime dhe pasi që ato gabime kanë kosto të lartë politike, të kërkohet falje për to. Ky është veprimi i vetëm i përgjegjshëm. Por kur në vend që ta pranosh fajin kërkon fajtorë diku tjetër, fajëson dhe akuzon popullin për injorancë, trysni e dhunë, atëherë ky veprim nuk është as parimor dhe as racional. LDK-ja bëri një gabim të pafalshëm politik, kur e anashkaloi vullnetin e popullit dhe e rrëzoi qeverinë e Kurtit. Por, nga deklarata e Isa Mustafës del dukshëm në pah që kjo parti ende nuk e ka pranuar gabimin e saj, por edhe më keq që kjo parti nuk është parti e vlerave demokratike. Vlera absolute e demokracisë është që populli, si sovran, ka përherë të drejtë madje edhe atëherë kur ne, si individë privatë, mendojmë që nuk ka të drejtë. Kishte të drejtë madje edhe atëherë kur e votonte LDK-në. Jo që populli nuk bën gabime, por si sovran ai vetë vendos si të veprojë me gabimet e tij, siç veproi kësaj radhe me LDK-në dhe hipokrizinë e saj demokratike.
Pasi që Isa po shtiret se gjoja nuk po e kupton arsyen pse e ndëshkoi populli, ja po ia tregoj unë: arsyeja pse populli ju ndëshkoi nuk është thjesht akti i rrëzimit të qeverisë Kurti, por është përdhosja e vullnetit të popullit; nuk dhatë pesë pare për të, por në mënyrë krejt arrogante përmes shkarkimit të kryeministrit dhe bërjes së qeverisë tuaj ju bëtë një jashtëqitje mbi vullnetin demokratik të popullit, të cilin tani e quani injorant. Ky veprim mund të jetë gjithçka por veprim demokratik kurrë jo. Dhe është pikërisht tradhtia, pabesia juaj, jo ndaj Albin Kurtit dhe VV-së, por ndaj vlerave demokratike në të cilat ju thirreni vazhdimisht që e detyroi popullin të ju ndëshkojë kaq rëndë. Falë i qofshim demokracisë që përherë e gjen rrugën e drejtë./Sead Zimeri/