Me dhjetëra njerëz, pa maskë e distancë, shihen në disa tubime të partive politike gjatë fushatës për zgjedhje lokale.
Fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovë, ka nisur më 16 shtator.
Që nga nisja e fushatës, në disa fotografi të postuara në rrjete sociale, shihen kandidatë të partive politike për kryetar të komunave të ndryshme, që nuk po i respektojnë masat kundër COVID-19.
Në llogarinë e tij në “Facebook” kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, shihet me strukturat e kësaj partie të mbledhur në një takim, ku nuk respektohen masat mbrojtëse.
Ky takim është mbajtur në fshatin Rezallë të Skenderaj më 12 shtator, pesë ditë para se të fillonte zyrtarisht fushata.
Por, ata nuk janë gjobitur.
Drejtoria e Inspektoratit Komunal në Komunën e Skenderajt, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk është në kompetencë të tyre mbikëqyrja e masave kundër pandemisë.
Kjo i takon Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Por, as ky institucion nuk ka shqiptuar ndonjë gjobë për partitë politike, deri më datën 22 shtator.
“Ne si autoritet mbikëqyrës për zbatimin e masave anti COVID-19, nga ana e kontrollit zyrtar, nuk kemi hasur në ndonjë organizim të natyrës së mbajtjes së fushatës elektorale, por kurdo që inspektorët hasin në veprime të cilat bien ndesh me masat, shqiptohen gjoba”, thotë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi për Radion Evropa e Lirë.