Të gjitha masat e vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit në Austri do të shfuqizohen më 5 mars, thanë zyrtarët austriakë.
Vetëm masa e mbajtjes së maskave në vende të caktuara do të mbetet në fuqi, raportojnë mediat austriake.
Siç është paralajmëruar edhe më parë, qeveria së bashku me guvernatorët e provincave duhet të marrë një vendim për lehtësimin e mëtejshëm të masave, duke shpjeguar se situata në spitale, pavarësisht numrit të madh të të infektuarve rishtazi, është stabile.
Pjesëmarrësit në takim duan ta shpallin sot 5 Marsin “Ditën e Lirisë”, sipas shembullit të Britanisë së Madhe.
Sipas një vendimi të mëparshëm të qeverisë, më 19 shkurt do të vijojë lehtësimi i mëtejshëm i masave. Kështu, në katering, hotel dhe evente, 2G do të kalojë në rregullin 3G, i cili do t’u japë sërish të pavaksinuarve, me test negativ, akses në kafene, restorante, hotele, koncerte, ndeshje.
Gjithashtu, nga data 5 mars do të mundësohen festime private dhe publike, koncerte, panaire dhe tubime të tjera pa kufizuar numrin e të pranishmëve. Po hiqet karantina për ata pa simptoma dhe e vetmja gjë që do të mbetet është detyrimi për të mbajtur maska në vende të caktuara, si transporti publik dhe supermarkete.
Po mendohet edhe pezullimi i përkohshëm i vaksinimit të detyrueshëm, i cili u fut rreth dhjetë ditë më parë./Enigma