Dështimi në garën për titull ka sjellë një zhgënjim të madh mes drejtuesve që prisnin të paktën që Barcelona të luftonte për titull deri në javën e fundit siç po bëjnë Atl. Madrid dhe Real Madrid. Sezoni aktual që solli vetëm Kupën e Spanjës si trofe mund të quhet zhgënjyes dhe për Laportan do të ketë një ristrukturim të thellë të skuadrës me Koeman të konfirmuar por që nuk përjashtohet ndonjë surprizë edhe në këtë aspekt.
Prej kohësh në listen e merkatos janë vënë emra të tillë si Neto, Umtiti, Junior, Pjanic, Coutinho, Braithwaite, Matheus të cilët kanë zhgënjyer dhe klubi do të presë ofertat e duhura për ta teksa ndryshimet mund të jenë edhe më të thella dhe mund të prekin edhe lojtarë simbol të katalanasve.
Kështu bëhet e ditur nga shtypi katalanas se as benjaminët e tifozëve si Pique, Sergio Busquets dhe Sergi Roberto mund të sakrifikohen në verë për t’i bërë vend prurjeve të reja dhe kjo do të ishte një lëvizje tjetër e dhimbshme pas asaj të verës së kaluar kur u larguan Rakitiç, Vidal dhe Luis Suarez.
Gjithashtu në listen e largimeve mund të përfshihet edhe Antoine Griezmann, gjithmonë nëse për të do të vinte një ofertë shumë e rëndësishme pasi fakti që u ble për 100 mln euro e bën francezin ende të shtrenjtë në bilanc dhe drejtuesit nuk mund të lejojnë humbje financiare.
Në fund, Lionel Messi. Presidenti Laporta po bën gjithçka që argjentinasi të rinovojë dhe të gjitha sakrificat bëhen që numrit 10 të klubit t’i jepet një ekip kompetitiv për sezonin e ardhshëm, një kusht që lojtari të rinovojë kontratën.