Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se prania e Rusisë në kufirin e Ukrainës është shqetësuese, se janë përdorur të gjitha mundësitë diplomatike për të parandaluar një konflikt të mundshëm ushtarak mes dy vendeve dhe se do të aplikohen sanksione të ashpra kundër Rusisë në rast të një konflikti të mundshëm ushtarak, transmeton Anadolu Agency (AA), transmeton KosovaPost.
Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer në Vjenë është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Në një fjalim të mbajtur në konferencën për media pas takimit, Michel tha se prania e Rusisë në kufirin e Ukrainës është shqetësuese. Ai bëri të ditur se janë vendosur në lëvizje bisedime diplomatike në formate të ndryshme dhe tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë për të vepruar në unitet brenda BE-së lidhur me tensionet në fjalë.
– Paralajmërim për sanksione
“Të gjithë duam të jemi të përgatitur në një rast të sulmit ushtarak. Në një situatë të tillë do të detyrohemi të aplikojmë sanksione shumë të ashpra. Këtë nuk e dëshirojmë por kurrë nuk do të përulemi kur bëhet fjalë për të mbrojtur stabilitetin dhe sigurinë tonë”, deklaroi Michel.
Ai vuri në dukje se me rrugë diplomatike janë bërë përpjekje serioze për uljen e tensioneve dhe për arritjen e një rezultati. Më tej ai nënvizoi se nëse tensionet në fjalë nuk zgjidhen me rrugë diplomatike është e nevojshme që brenda BE-së të veprohet në mënyrë të bashkuar dhe të vendosur si dhe të sigurohet unitet se si do të kundërpërgjigjet.
– Përpjekje për të gjetur zgjidhje diplomatike
“Një kërcënim kundër Ukrainës nënkupton Evropën madje edhe më shumë”, potencoi Michel i cili shtoi se janë në solidaritet me sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi dhe se pavarësisht zhvillimeve shumë shqetësuese po bëjnë përpjekje që ndaj problemit të gjejnë zgjidhje me rrugë diplomatike.
– Austria mbështet BE-në
Kancelari austriak, Nehammer tha se me presidentin e Këshillit Evropian kanë diskutuar për shumë çështje, kryesisht luftën me pandeminë dhe se biseduan kryesisht për zhvillimet mes Rusisë dhe Ukrainës.
Nehammer tha se kryesisht rritja e kapacitetit ushtarak të Rusisë në kufirin e këtij vendi shkaktoi një ndjenjë përtej shqetësimit dhe se në bisedën dypalëshe u diskutua veprimi në unitet si BE dhe përcaktimin e strategjisë së përbashkët kundrejt zhvillimeve.
“BE-ja nuk e ka pajtuar asnjëherë politikën me dhunën dhe kjo situatë duhet t’i përcillet qartë Rusisë”, theksoi Nehammer, duke shtuar se Rusia nëse aplikon dhunën duhet të përllogarisë vendosmërinë e BE-së për sanksione.
Duke iu referuar edhe projektit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”, Nehammer njoftoi se në rast të një tensioni të mundshëm ushtarak, duhet të diskutohen sanksionet që do të prekin Rusinë në mënyrë shumë të fuqishme sesa projekti në fjalë./AA