Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka mirëpritur nisjen e punimeve për ndryshimet kushtetuese lidhur me procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.
Kjo është bërë e ditur në një njoftim nga ambasada britanike, pas takimit të parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut që u mbajt dje.
Ambasada britanike ka theksuar se e mbështesin një proces të tillë dhe do të vazhdojnë të jenë partner i Qeverisë së Kosovës.
“Mirëpresim takimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për të nisur punën për ndryshimet kushtetuese në lidhje me procesin e Vettingut. Ne e kemi mbështetur nismën që nga fillimi dhe do të vazhdojmë të jemi partner për Qeverinë ndërsa ata ecin përpara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, nëpërmjet një përgjigjjeje në formë elektronike për lajmi.net, ka ritheksuar shqetësimin e shprehur në konstatimin e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2021 lidhur me procesin e vetting-ut në fushën e drejtësisë, derisa ka potencuar se vetting-u duhet të shihet “si masë e jashtëzakonshme e fundit”, raporton lajmi.net.
“Raporti i Kosovës vë në dukje me shqetësim serioz mundësinë e një rivlerësimi të plotë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kosovë. Një proces i tillë verifikimi duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme e fundit, që të thotë se duhet të merret parasysh vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin e bartësve të funksioneve gjyqësore dhe për të luftuar korrupsionin”, është thënë në përgjigjen e dhënë nga Zyra e Informimit të Institucionit të BE’së në Kosovë.
Zyra e BE’së po ashtu e kanë parë të domosodshëm opinionin e Komisionit të Venecias karshi kësaj çështjeje, duke përkujtuar se ky komision është organ këshillimor dhe trup ekspert i Këshillit të Europës në rrafshin e së drejtës kushtetuese.
“Çdo proces verifikimi duhet të jetë gjithashtu në përputhje me standardet evropiane dhe për këtë arsye Komisioni i Venecias duhet ta vlerësojë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky Komision është një organ këshillimor dhe trup ekspert i Këshillit të Evropës në fushën e së drejtës kushtetuese”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Të njëjtit kanë kërkuar që “të shmangen shqetësimet në funksionimin e sistemit të drejtësisë”, duke nënkuptuar që të mos ketë implikime politike.
“Kohët e fundit kemi dëgjuar shumë komente për procesin, edhe në lidhje me qëndrimin e BE-së për këtë. BE-ja gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për t’u siguruar që populli i Kosovës të ketë drejtësi efikase dhe të paanshme. Mjetet për ta arritur atë janë po aq të rëndësishme sa edhe objektivi përfundimtar. Kjo është pikërisht arsyeja që për BE-në, një verifikim i plotë mbetet vërtetë masë e jashtëzakonshme. Është gjithashtu e rëndësishme që të shmangen shqetësimet në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ne do të vazhdojmë dialogun me Qeverinë për këtë çështje”, thuhet tutje.
Ndryshe dje në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, kryeministri Albin Kurti tha se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.
Kurti theksoi se kemi nevojë për gjyqtarë të drejtë e efikas dhe prokurorë me integritet.
Në anën tjetër ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se Vettingu është çelësi për një sistem të drejtësisë ku do kenë qasje të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.
https://www.facebook.com/UKinKosovo/posts/2053574871468260