Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për “mungesë besnikërie” për shkak të “marrëveshjes së nëndetëseve Aukus” që ajo nënshkroi me Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, transmeton Kosova Post.
Në deklaratat e tij për shtypin në Nju-Jork, ku po qëndron për të marrë pjesë në Sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Michel reagoi ndaj marrëveshjes së njohur si “AUKUS”, që është nënshkruar nga Australia, ShBA-ja dhe Anglia, shkruan TRT.
“Ishte shumë e qartë se BE-ja nuk ishte një aleat i dobishëm për administratën e Donald Trump-it”,- u shpreh Michel dhe administratën e re Biden e vlerësoi kështu: “Administrata e Joe Biden dha një mesazh historik duke thënë se ‘Shtetet e Bashkuara janë rikthyer’, por tani ne kemi pikëpyetje. Çfarë do të thotë që Amerika është kthyer? A është kthyer ShBA-ja në Amerikë apo diku tjetër? Ne nuk e dimë këtë.”
“Parimet më themelore për aleatët janë transparenca dhe besimi dhe ato shkojnë bashkë. Mirëpo çfarë shikojmë ne? Ne po shohim një mungesë të qartë të transparencës dhe besnikërisë”,- tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Pas marrëveshjes AUKUS, të nënshkruar nga Australia, ShBA dhe Britania e Madhe më 16 shtator, u njoftua anulimi i kontratës me vlerë 90 miliardë dollarë australian (66 miliardë dollarë amerikan) që Australia kishte lidhur më parë me Francën (Grupin Detar Francez) për ndërtimin e 12 nëndetëseve konvencionale me naftë dhe elektrike.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, e kishte vlerësuar si “tradhti” anulimin e marrëveshjes duke thënë se “ata ishin goditur me të vërtetë pas shpine”.
Drian kishte njoftuar gjithashtu se me udhëzim të presidentit Francez Emmanuel Macron, ata vendosën të thërrasin menjëherë për konsultime në Paris ambasadorët e vendit në Kanberrë dhe Uashington.