Familjarë, zyrtarë shtetërorë e qytetarë kanë bërë homazhe te varri i Mon Balajt në Podujevë në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të vrasjes së tij në demonstratën e vitit 2007.
Në këtë ceremoni përkujtimore lule mbi varrin e Balajt kanë vënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e deputetë të Vetëvendosjes.
“Në përvjetorin e 15-të të rënies së Mon Balaj dhe Arben Xheladinit, sot vendosëm lule të freskëta në nderim dhe përkujtim të dy dëshmorëve që u vranë në protestën paqësore të 10 shkurtit. Përmes kësaj proteste paraqiteshin rreziqet që po i kanoseshin Kosovës gjatë asaj kohe dhe mesazhin kryesor që e përqoi kjo protestë ishte vendosshmëria e popullit të Kosovës që po kërkonte pavarësi e vetëvendosje dhe asgjë më pak. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balaj dhe Arben Xheladinit! Lavdi për jetë e mot të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka shkruar Bulliqi.