Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të zhvillojnë takimin e radhës të mërkurën për raundin tjetër të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Stano deklaroi sot se negociatorët kryesorë në kuadër të dialogut në mes dy shteteve më 7 dhe 8 shtator do të jenë në Bruksel.
Ai shtoi se të ashtuquajturat bisedime teknike do t’i kushtohen “çështjeve të hapura aktualisht dhe hapave të ardhshëm në dialog”.
Që të dyja delegacionet kanë planifikuar që gjatë të martës të zhvillojnë bisedime dypalëshe me ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak si dhe përfaqësues të tjerë të Bashkimit Evropian.
Kurse të mërkurën, apo ditën e dytë të takimeve është planifikuar një takim trepalësh në mes përfaqësuesve të Kosovës, Serbisë dhe atyre të Bashkimit Evropian.g.e.