Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka kërkuar falje, zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, për shtrembërimin e deklaratës lidhur me takimin e tyre në Strasbourg, përcjell KosovaPost.
Bislimi ka shkruar në “Twitter” se zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, e mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikim në Këshill të Evropës.
Por Berge e ka demantuar atë, duke e quajtur përshkrim jo të saktë.
“Me keqardhje, ky s’ka qenë përshkrimi korrekt i asaj që kam deklaruar në takim sa i përket aplikimit të mundshëm në Këshill të Evropës”, ka thënë Berge.
Pas kësaj, Bislimi ka përmirësuar gabimin dhe ka thënë se i vjen keq që ka përdorur termin jo adekuat.
Sipas tij, në vend të fjalës “ai mirëpriti”, do duhej të ishte “ne informuam”.
“Me të vërtetë falënderues për zëvendës-sekretarin Bjorn Berge, për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tweet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhet të ishte”ne informuam”, shkroi Bislimi.
Shtrembërimi i deklaratës së Bislimit ngjalli reagime edhe brenda Kosovës.