Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian është i mendimit se Bashkimi nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Ministri i Jashtëm i BE-së Josep Borrell tha të hënën se ai kishte informuar ministrat e jashtëm të BE mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, pas vizitës së fundit nga Përfaqësuesi Special i BE për Dialogun Serbi-Kosovë Miroslav Lajcak në rajon.
“Ballkani Perëndimor ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një çështje prioritare për BE-në”, tha Borrell, raporton Tanjug, përcjell Kosova Post.
Në fund të takimit të ministrave me ministrat e jashtëm të BE, ai gjithashtu paralajmëroi një debat gjithëpërfshirës mbi Ballkanin Perëndimor në Këshillin e ardhshëm të BE-së në Prill.
Më parë, kreu i diplomacisë evropiane tha se BE investon shumë para në Ballkanin Perëndimor dhe se nuk është e drejtë të thuhet se BE thjesht pretendon se i do vendet nga rajoni në përbërjen e saj.
“Ne vazhdojmë procesin e zgjerimit, hap pas hapi. Ne duam të ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor të afrohen me ne, për të hyrë në sistemin e BE. Nuk është e vërtetë që ne thjesht pretendojmë se duam që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me BE. Këto vende kanë një të ardhme në BE, por ato duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë: të zbatojnë reformat, të përmbushin standardet që zbatohen për të gjithë anëtarët,” qe shprehur ai në një konferencë virtuale të Aleancës Amerikane të Atlantikut, muajin e kaluar.
Ai shtoi se Rusia, Kina dhe Turqia janë gjithashtu të pranishme në Ballkan dhe e paraqesin veten sikur kujdesen më shumë për Ballkanin Perëndimor sesa BE.
“Por ne po vazhdojmë procesin e zgjerimit, hap pas hapi. Regjimi pa viza është një realitet, mbase jo për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne e kemi drejtuar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në rrugën e duhur. BE ndihmon Ballkanin shumë më tepër se të tjerët, por ne mund të mos jemi të mirë në propagandë. Nëntë miliardë euro është plani ynë ekonomik për Ballkanin Perëndimor,” vuri në dukje Borrell./KosovaPost/