Sipas raportit të policisë brenda tre ditëve janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje, transmeton KosovaPost.
Policia thotë se në kryeqytet gjatë ditës së djeshme një grua ka raportuar për dhunë nga bashkëshorti i saj. Rasti është duke u hetuar, ndërsa i dyshuari është në arrati.
Po të njëjtën ditë, një rast tjetër është raportuar në Graqanicë. Një person ka sulmuar fizikisht ish-bashkëshorten e tij me të cilen janë divorcuar. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.
Në Rahovec dje është arrestuar një person pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij të mitur dhe më pas kishte kanosur babain e saj. Tutje në raport thuhet se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Por këto nuk janë komunat e vetme ku është raportuar për dhunë në familje.
Në Malishevë janë arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë shkaktuar dhunë në familjen e tyre ndaj viktimës mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Me datë 12 dhjetor të këtij muaji në Prizren është arrestuar një person i cili për shkak të një mosmarrëveshjeje kishte ushtruar dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari përveç dhunës kishte demoluar edhe orenditë në shtëpi. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Gjakova është qyteti tjetër ku para dy dite është arrestuar një person pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.