Von der Leyen beson pasaporta mund të funksionalizohet brenda tre muajve – pak para stinës së verës.
Mirëpo kjo arritje kërkon marrëveshje të shpejtë, si për çështjet politike, ashtu edhe për standardet teknike.
Një sistem duhet të krijohet nga 27 kombe të ndryshme për një version të përshtatshëm evropian. Në atë proces përfshihen ministra të ndryshëm të shteteve të BE-së, sikurse të shëndetësisë, drejtësisë, dhe departamenteve digjitale, nëse ka të tillë.
Çka komplikon më shumë situatën janë veprimet ndryshe të shteteve.
Deri më tani, Komisioni Evropian është i vetëdijshëm se 13 shtete anëtare lëshojnë certifikata për COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, derisa gjashtë të tjera janë duke planifikuar të bëjnë një gjë të tillë.
Disa do të lëshojnë vetëm pasaporta digjitale, derisa të tjerat preferojnë ato në letër.
Procesi veçse është lara-lara.
Cilat janë çështjet e pazgjidhura?
Ka shumë. Çështja e diskriminimit kundër atyre që nuk munden apo nuk duan të vaksinohen, nuk do të shuhet aq lehtë. Ritmi i ngadalshëm i vaksinimit në BE nënkupton se gati 32 milionë doza të vaksinës janë dhënë në gjitha vendet e bllokut evropian deri më tani, që i bie 6.4 për qind e popullsisë është vaksinuar.
BE-ja ende shpreson të sigurojë 300 milionë doza në çerekun e dytë të vitit 2021, duke i mundësuar Brukselit që të përmbushë qëllimin e vaksinimit të më shumë se 70 për qind të popullatës së rritur deri në verë.
Mirëpo me gjithë pengesat e dala deri më tani, kjo gjë mund të mbetet vetëm si dëshirë – siç është edhe ideja e certifikatës për vaksinë.
Ka edhe gjëra tjera për t’i menduar në këtë mes. A është kjo gjë e përkohshme apo do të jetë pjesë e kontrolleve kufitare në vendeve brenda BE-së, ndonëse kontrolle të tilla më parë nuk kanë ekzistuar?
Çfarë do të bëhet me qytetarët e BE-së, që janë vaksinuar me vaksina ruse apo ato kineze, vaksina që nuk njihen nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve?
Hungaria, Sllovakia dhe vende tjera, që mund t’i përdorin këto vaksina, do të insistojnë që ato të njihen po ashtu, ndonëse në certifikata do të mund të përfshihet edhe testi negativ për koronavirus.
Mundësia e njëjtë do të mund t’iu ofrohet edhe fëmijëve, të cilët deri më tani janë jashtë programeve kombëtare të vaksinimit.
Çfarë do të thotë kjo për njerëzit e vendeve të treta që duan të udhëtojnë në BE?
Ky propozim shqetëson fillimisht 27 vendet e BE-së. Mirëpo ideja është që kjo certifikatë të mund të përdoret edhe jashtë bllokut evropian, duke u koordinuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Kjo gjë tingëllon mirë në teori, mirëpo vendet jashtë BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe vendet fqinje në lindje të BE-së, do të mund ta shikojnë gjithë këtë situatë me nervozizëm./REL/