Shkruan: Fahri Avdija
Kësaj radhe, Instituti Albanologjik paska prodhuar diçka të tillë. Në vend që pas pensionimit të osmanologut Dr. Sc. Nehat Krasniqi, të kërkohet kandidat me të njejtin titull, Departamenti i Historisë pranë Institutin Albanologjik në Prishtinë paska shpallur konkurs për pozitën e studiuesit të periudhës osmane, por sipas disa kërkesave të çuditshme të tyre; kandidati duhet të jetë nën moshën 27 vjeçare dhe të ketë kryer vetëm studimet master?
Pra, ata kërkojnë një hulumtues të periudhës osmane i cili e njeh mirë osmanishten, ka punime të publikuara, të ketë marrë pjesë në simpoziume, të ketë bërë studime rreth historisë osmane por nuk duhet të ketë më shumë se 27 vjet dhe nuk duhet të jetë doktor shkence?! Për qudi, te njejtit ankohen për mungesë të kuadrove profesional, sidomos te periudhës osmane. Prandaj, pretendimi se kanë mungese te osmanologëve e në anën tjetër refuzimi i atyre që janë Dr. Sc. të kësaj fushe, ndër të tjera, shpërfaqë edhe hipokrizinë e subjektit në fjalë.
Në vend që, si i vetmi studiues në Kosovë me titull Dr. Sc. në historinë osmane, të më ftojnë të bëhem pjesë e tyre, veprohet e kundërta. Gjithçka po bëhet për të më penguar që të bëhem anëtar i institucioneve në fjalë. Andaj, vetëm një gjë duket se është duke u luajtur këtu: intoleranca e tyre ndaj konkurrencës, sidomos nëse kandidati është përnjëmend doktor në fushën e historisë osmane. Rrjedhimisht, ata po përgatisin terrenin për dajallarët dhe tezet e tyre, të cilët mund të kenë kryer një kurs të osmanishtes diku, prandaj për ta, titujt shkencor nuk kanë fare rëndësi, madje ndoshta konsiderohen edhe si dicka e tepërt.
Është shume qesharak fakti se këta shpallin konkurs për pozitën e hulumtuesit asistent të periudhës osmane por nuk kanë asnjë osmanolog në institut?! Pra asistent i kujt do jetë ky “hulumtuesi asistent” nese ne institut nuk ka specialist te periudhes osmane?
Edhe institucionet simotra kanë ndërmarrë veprime të ngjashme, por edhe ata duhet të jenë të vetëdijshëm se ne jemi të informuar për të gjitha falsifikimet dhe manipulimet që kanë kryer në konkurset e tyre, duke shkelur të gjitha limitet që parashohin statutet dhe ligjet e institucioneve në fjalë, me të vetmin qëllim për të mbajtur në pozita njerëzit e tyre. Pra, mos të përpiqen të na shesin “dushk për gogla”!
Unë kurrë nuk jam dekurajuar nga njerëz të tillë, andaj do të vazhdoj punën edhe me më zell, por gjithashtu dua t’i informoj se këto gjëra do të dalin në shesh sot ose nesër, ndërsa ata do të mbajnë përgjegjësi!