Deputeti i Bundestagut Peter Beyer, e ka vlerësuar lart lojën e kombëtarës së Shqipërisë në Kampionatin Evropian.
Beyer tha se paraqitja e futbollistëve shqiptarë do të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.
“Një falënderim i veçantë shkon për trajnerin Sylvinho dhe gjithë ekipin për punën e tyre të jashtëzakonshme. Jam i bindur se kjo arritje madhështore do të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm. Forca Shqipëri” shkruan ai.
Shqipëria pati paraqitje solide në Gjermani, ani se ishte në një grup tejet të fortë.
“Kuqezinjtë” ishin në grupin B bashkë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
Futbollistët e Sylvinhos nuk arritën të shkojnë në fazën e eliminimit direkt, por shqiptarët ranë në sy me përkrahjen që kishin.
Tifozët e kombëtares u shquan për atmosferen dhe kulturën e treguar.
Sipas një statistike të nxjerra nga mediat gjermane, llogaritej se 95 mijë tifozë i dhanë përkrahje kombëtares shqiptare.